E Diel, 1 Nëntor 2026

Dyfishohen fondet për zonën muzeale



GJIROKASTER - Dyfishohen fondet qeveritare për mirëmbajtjen e banesave në zonën muzeale të Gjirokastrës. Rreth 43 milionë lekë janë fondet totale të akorduara gjatë gjashtë muajve të para të këtij viti nga ana e ekzekutivit shqiptar, për rehabilitimin e banesave karakteristike gjirokastrite në zonën historike të saj. Sipas drejtorit të Kulturës Kombëtare Rajonale në Gjirokastër, Sprtak Drasa, pjesë e rehabilitimeve për këtë vit janë banesat e Cuberajve, Galanxhiajve, Kokobobot si dhe tre banesa të tjera të kategorisë së parë dhe të dytë. Pjesë e rehabilitimeve për këtë vit do të jenë edhe fragmente arkitektonike në Pazarin karakteristik të qytetit, si dhe pjesë të tjera në gur në shtëpi të lagjeve "Palorto" dhe "Mecite". "Tek të gjitha këto objekte, pritet të ndërhyhet menjëherë sapo të përfundojnë procedurat tenderuese në kryeqytet ku më pas çdo gjë do të kryhet konkretisht", shprehet Drasa. Sipas tij, pranë këtyre punimeve do të jenë të angazhuar specialistë me eksperiencë në fushën e restaurimeve në objekte shekullore pasi ndërhyrjet janë delikate dhe kërkojnë efikasitet të jashtëzakonshëm. Premtohet se në pjesën e dytë të vitit të përfundojnë projektet rehabilituese tek objektet e tjera në pjesën historike, të cilat nuk janë prekur fare nga shteti gjatë 20 viteve të fundit. Pjesë e fondit prej 43 milionë lekësh është edhe shuma prej 541 mijë që do të shërbejë për shpronësimin e pjesës së ngelur të banesës së Kadaresë. Ndërkaq pjesë e rehabilitimit është edhe Teatri i Hadrianopolit ku falë një fondi prej 1 milion lekësh, do të mundet të ndërhyhet në pjesët anësore të tij, ndërsa mirëmbajtjet e banesave të kategorisë së parë, do të kushtojnë po 1 milion lek. Vitin e kaluar, Qeveria shqiptare, akordoi 26 milionë lekë për rehabilitimin e pjesëve të ndryshme në zonën historike të qytetit ndërsa nga viti në vit, shumat e dërguara në Gjirokastër, po njohin rritje. p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›