Papunësia,450 vetë nga janari
GJIROKASTER - Papunësia ka njohur rritje të konsiderueshme gjatë këtij viti në rrethin e Gjirokastrës. Rreth 40% e fuqisë punëtore në Gjirokastër, gjendet e papunë duke rënduar mjaft ekonomitë familjare. Statistikat zyrtare nga Zyra e Punësimit e rrethit, tregojnë se 450 persona kanë humbur vendet e tyre të punës prej fillimit të këtij viti e deri në ditët e sotme. Sipas drejtorit të Zyrës së Punës, Thoma Neka, numri i të papunëve ka pësuar rritje alarmante, sidomos në fillim të këtij viti pasi korrespondon me mbylljen e aktivitetit fizik dhe zyrtarisht të bizneseve të ndryshme prodhuese dhe tregtuese në zonën jugore. Deri me tani janë mbyllur dy aktivitete të prodhimit të veshjeve në qytetin e Gjirokastrës si dhe të prodhimit të këpucëve duke nxjerrë në rrugë 210 gra të papuna. I gjithë ky kontingjent është regjistruar si i papunë në Zyrën e Punës në Gjirokastër duke iu bashkuar në këtë mënyrë armatës prej 2000 të papunëve vetëm në rrethin e Gjirokastrës. "Shumica e të papunëve, vijnë nga sektori privat dhe pak nga administrata shtetërore" shprehet Neka. p.n