Duhet të ndalim trurin e Barcelonës

Mesfushori i Milanit, Kevin-Prince Boateng beson se ndalja e Andres Iniestës dhe Xavit do të jetë e domosdoshme për shpresat e Rossonerëve që të kthehen me rezultat pozitiv nga Barcelona në ndeshjen e tyre të parë në Ligën e Kampionëve.
Milan dhe Barcelona janë kundërshtarë në Grupin H dhe njëkohësisht favoritë për kualifikim në fazën e dytë, para ekipit bullgar BATE Borisov dhe Viktoria Plzen nga Republika Çeke. Kampioni i Spanjës dhe ai i Italisë ndeshen në Nou Camp të martën.
“Nëse do të mendoja se nuk mund të fitojmë, nuk do të luaja futboll. Kam ëndërruar një ndeshje si kjo prej kur isha fëmijë. Askush nuk është i pamposhtshëm”, tha Boateng për Gazzetta dello Sport.
“Duhet të qëndrojmë të bashkuar, sepse luajmë në fushën e tyre dhe duhet të mbrohemi mirë. Në sulm kemi sulmues të shkëlqyeshëm, të cilët herët ose vonë do të shënojnë. Mendoj se do të përfundojë 1-1. Nëse nuk i lejojmë Xavit dhe Iniestës kohë për të menduar, atëherë bëhet shumë e vështirë që ata të gjejnë golin. Këta dy janë ana e majtë dhe e djathtë e trurit të Barcelonës. Pa tru, ekipi nuk mund të luajë. Kush është truri i Milanit? Zlatan Ibrahimoviç. Zlatan na udhëheq përpara dhe është shumë i rëndësishëm për ne”, përfundoi Boateng.