E Diel, 1 Nëntor 2026

Duhet të ndryshojë imazhi i koalicionit

28/10/2004  Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Lufter Xhuveli, kërkon nga krerët e PS-së ridimensionim të raporteve në marrëdhëniet PS-PAA. Sipas tij, "PS-ja duhet të vlerësojë seriozisht situatën, duke bërë zgjidhje adekuate për të mos ngelur në marrëveshje xhentëlmenësh". Xhuveli, në një pronocim për media, i ka kujtuar socialistëve se forca e tij është e vetmja në koalicion, e cila ka tre vota të konsoliduara politikisht në parlament dhe nuk përfaqësohet në qeveri. Sipas tij, aleatët janë në pritje të konsultimeve me PS-në për "përmirësimin e situatës në qeverisjen e vendit dhe me përmirësimin e imazhit të koalicionit". Xhuveli thekson nevojën e përmirësimit të strukturave qeverisëse, duke kërkuar që aleatët të kenë pjesën e përgjegjësisë së tyre në mënyrë proporcionale. Sipas kreut të agrarëve, PS-ja nuk mund t'i lërë raportet me aleatët si pre e KPD-së".

Gjinushi: PS ia ka nevojën aleatëve

Mazhoranca të marrë vendimet e duhura

"Ndryshimet në qeveri duhet të bëhen në kohën e duhur", tha kryetari i Partisë Sociademokrate, Skënder Gjinushi. Ndryshimet në koalicionin qeverisës për Gjinushin janë si pasojë e lëvizjejve që po pëson PS-ja brenda saj. Sipas tij, "sa më shumë ndryshojnë raportet në PS, aq më tepër ndjehet nevoja për ndryshime dhe përmirësime në qeveri". Ndërkohë për kreun e socialdemokratëve nuk kanë rëndësi takimet formale, që janë zhvilluar dhe që priten të bëhen mes aleatëve të koalicionit për integrim, por kontaktet e vazhdushme që ata kanë. Socialdemokrati tha se pret nga negociatat e ardhshme me PS-në dhe aleatëtt e tjerë vendimet e duhura nga mazhoranca.

Milo: Socialistët po manovrojnë me kohën

PS është e lodhur dhe e konsumuar

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, i kërkon partisë më të madhe qeverisëse që t'u përgjigjet kërkesave të aleatëve dhe të mbajë premtimet e bëra nga Nano dhe Ruçi. Sipas tij, PS-ja duhet të sigurojë bashkëpunim parimor me aleatët që këta të fundit t'i japin mbështetje. "Nuk është mbështetje thjesht numrash aritmetikë në parlament, por është një mbështetje që vjen nga faktori politik i PDS-së dhe domosdoshmërisht për të shkuar së bashku në zgjedhjet e ardhshme parlamentare", tha Milo. Zhvillimet mes aleatëve, sipas tij, nuk mund të varen nga humori i PS-së, e cila "po ndjen lodhjen e pushtetit dhe konsumimit. Ajo manovron për të fituar kohë". Në rast se zgjidhja e problemeve vonohet, çmimi, për Milon, do të jetë më i madh. Ai vlerëson se lëvizjet novatore brenda PS-së do të sjellin mundësinë e një transparence të kësaj partie me aleatët.

Karamelo: Me Dulen, PBDNJ e varur nga PS

Koalicioni është një garniturë e qeverisë

Ndryshe nga aleatët e tjerë të PS-së, deputeti i PBDNJ-së, Ligoraq Karamelo, nuk pranon marrëdhëniet bashkëpunuese mes partisë së tij dhe mazhorancës. Sipas tij, "e kryesuar nga Dule, PBDNJ-ja është në varësi të PS-së, e cila ka një ndikim të keq tek elektorati". Karamelo shprehet lidhur me negociatat që PS-ja do të zhvillojë më aleatët e koalicionit qeverisës se "vendimet që dalin nga Kryesia socialiste janë në vazhdën e asaj statu-kuoje votash dhe jo ndarje përgjegjësie". Dy deputetët, Karamelo dhe Goxhi, kanë qenë kundër bashkëpunimit me PS-në në koalicionin qeverisës, duke theksuar se "koalicioni është si një garniturë qeverisës, e cila nuk ka përgjegjësi për ta çuar vendin në një proces të ndershëm zgjedhjesh".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›