E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një gjyqtar ndihmohet nga 5 punonjës

28/10/2004  Kushtetuesja punëson më shumë personel nga sa parashikohej në Buxhet

Gjykata Kushtetuese ka kërkuar nga Kuvendi të ligjërojë 45 punonjësit e këtij institucioni. Sipas një letre të dërguar në Komisionin e Financës, Buxheti i Shtetit ka parashikuar që në Kushtetuese të punojnë vetëm 30 punonjës. Por, nga administrata është thënë se ka një gabim, pasi në Kushtetuese paguhen aktualisht 45 punonjës. Ndaj nga Kuvendi është kërkuar që të ndryshojë numri i të punësuarve. Kjo është kundërshtuar nga ministri i Financave, i cili ka kërkuar që më parë të verifikojë nëse kërkesa do të ketë ndikim në Buxhetin e Shtetit ose jo. Nga ana tjetër, deputetët e opozitës thanë se është e pafalshme që Gjykata Kushtetuese, si organi më i lartë i drejtësisë, të ketë punonjës më shumë nga sa është përcaktuar në Buxhetin e Shtetit. "Në rast se ligji shkelet në Kushtetuese, ç'mund të ndodh në institucionet e tjera", tha Ridvan Bode. Nga ana tjetër është ngritur shqetësimin që për çdo anëtar të Gjykatës Kushtetuese janë në dispozicion 5 punonjës. Gjithsesi, kërkesa e Kushtetueses do të rikthehet në Kuvend vetëm pasi ministri i Financave të verifikojë nëse Gjykata Kushtetuese kërkon shtesë fondi ose jo. Në rast se do të rezultojë që shpenzimet janë më të mëdha, deputetët e opozitës kanë paralajmëruar se do të kërkojnë masa ndaj funksionarit që ka marrë në punë më shumë punonjës nga sa ishte parashikuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›