E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duhet të sillemi si europianë

Shkrimtari i madh Ismail Kadare ka qenë pasditen e së shtunës në qytetin e Shkodrës, ku është promovuar nisma “Dy gjuhë në një libër”, mes Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës dhe Universitetit të Malit të Zi.

Gjatë bashkëbisedimit me studiues të gjuhësisë dhe letërsisë, Kadare ka folur në lidhje me situatën e gjuhës dhe letërsisë shqiptare, si dhe për identitetin kulturor ballkanas dhe aspiratën e shqiptarëve drejt BE-së.

“Ne jemi në Europë dhe është i gabuar termi ‘Të hyjmë në Europë’, pasi ne jemi në Europë, por duhet të sillemi si europianë”, është shprehur Kadare.

Ndërkohë, duke folur për çështjen e gjuhësisë, ai është shprehur se shqipja është një ndër gjuhët themeltare të Europës dhe këtë fakt shqiptarët nuk e dinë dhe ndaj duhet treguar më tepër kujdes. Më tej ai është ndalur në çështjen e identitetit kulturor, për të cilin Kadare është shprehur se disa kombe gabojnë që thonë se janë të pavdekshëm.

Në botë janë shuar gjashtëmijë kombe, madje himni ynë në rreshtin e parë e ka fjalën për mbrojtjen e kombit.

Ismail Kadare e ka vlerësuar shumë letërsinë shqiptare, por ka vënë theksin në faktin se mjaft autorë të shquar nuk vlerësohen aq sa duhet.

“Në mesjetën e vonë kemi pasur shkrimtarë të mëdhenj nga Shkodra, bashkëkohës të Shekspirit, si Pjetër Budi dhe Pjetër Bogdani dhe nuk kujtohen ashtu siç duhet. Kam mbetur i habitur kur lexova para pak ditësh se letërsia laike në Shqipëri është lëvruar nga bejtexhinjtë, kur në fakt vargje laike gjejmë te Pjetër Budi që në mesjetën e vonë. Në këtë periudhë e kemi pasur letërsinë më të zhvilluar se letërsia e shumë vendeve, që sot e kanë letërsinë në majat më të larta”, ka thënë shkrimtari i madh Kadare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›