E Diel, 1 Nëntor 2026

E refuzon çmimin

Aktori Lirak Çelaj nuk e ka pranuar çmimin për aktorin dytësor në Festivalin e Teatrove në Ferizaj, me arsyetimin se roli për të cilin është shpërblyer nuk është dytësor por rol kryesor.

Ka përfunduar Festivali i Teatrove në Ferizaj, i cili u mbajt nga 21 deri më 27 tetor. Siç e donë tradita e festivalit, u shpallën fituesit e edicionit të sivjetmë. Shfaqja “Kaos atdhedashurie në Paris” e Teatrit “Adriana” të Ferizajt nga dramaturgu dhe regjisori Haqif Mulliqi, u shpall si më e mira e këtij edicioni.

Kësaj shfaqjeje iu dha edhe një çmim, ai për rolin më të mirë të mashkullit, i cili këtë vit është pagëzuar me emrin e aktorit të njohur ferizajas, Ismail Rama. Ndërkohë që këtë çmim e mori aktori Ismet Azemi për rolin e Ukës në shfaqjen “Kaos...”

Nga juria në përbërje të Rozi Kostanit, Besim Rexhaj dhe Fadil Hysaj, u ndanë këto çmime: Genti Bejko nga Teatri “Metropol” i Tiranës mori çmimin për regjinë më të mirë; aktorja më e mirë femër ishte Merita Smaja. Gjithashtu çmime morën edhe aktorët: Lirak Çelaj, Driada Matoshi e Arben Spahia, për role dytësore.

Mirëpo, siç mësohet ka ndodhur një keqkuptim, ngaqë aktori Lirak Çelaj, pasi mori lajmin që kishte rrëmbyer çmimin për aktorin më të mirë dytësor në shfaqjen“Nata e Helverit”, ku ai luan së bashku me aktoren Safete Rogova, reagoi përmes një komunikate.

Në letër, Çelaj shpreh shqetësimin e tij, ndërkohë që krahason se aq sa është ndjerë i nderuar për marrjen e një çmimi në këtë festival të nderuar, aq është edhe i habitur, që i jepej roli dytësor, kur e gjithë shfaqja ka vetëm dy role kryesore. “Nuk di si mund të jetë një rol me kryesor sesa që është ai i Helverit në dramën ‘Nata e Helverit’, kur në skenë prej fillimit deri në fund të shfaqjes jemi prezent unë, në rolin e tij, dhe doajenia e Tetarit Kombëtar, Safete Rogova, në rolin e Karlës. Të tjerë s’ka. Pra është shfaqje me dy role kryesore”, sqaroi Çelaj.

Ai shtoi më tutje se as që do të ndjehej i fyer po të mos merrte asnjë çmim, meqë bëhet fjalë për vlerësime e shije individuale të anëtarëve të jurisë, por shije të keqe e ndoshta nga pak edhe fyese duke e lënë me dyshime se kjo nuk ishte e rastësishme ishte marrja e një çmimi që nuk i takonte. “Nëse është dashur që unë dhe disa kolegë tjerë nga shfaqje tjera po ashtu me role kryesore të jemi të emëruar për çmim në kategorinë për aktorin më të mirë në rolet dytësore vetëm për t’i lëshuar rrugë dikujt tjetër, kjo nuk më duket as e drejtë dhe as i bën nder përparimit të këtij arti ndër ne”, tha ndër të tjera Çelaj.

Duke falënderuar publikun e Ferizajt për mikpritje shumë të ngrohtë që i bënë, ashtu edhe organizatorët, ai e refuzoi këtë çmim, me dëshminë që t’i akordohet dikujt që vërtetë ka pasur rol dytësor dhe që e meriton.

Express ka kërkuar sqarim nga njëri prej anëtarëve të jurisë në edicionin e sivjetmë të Festivalit të Teatrove në Ferizaj, se për çfarë keqkuptimi apo çfarë keqinterpretimi bëhet fjalë.

Regjisori Fadil Hysaj tha se nuk ishte asgjë tjetër veçse një keqkuptim, duke thënë që në dokumentet që kanë anëtarët e jurisë, aktori Lirak Çelaj është shpërblyer si aktori i dytë më i mirë mashkull. “Kur është bërë shpallja e çmimit është bërë me një fjalë tjetër, nuk ka qenë qasja e madhësisë së roleve, por ka qenë aktori më i mirë dhe aktori i dytë më i mirë. Pikërisht kjo. Ky ka qenë keqkuptim dhe mendoj që mund të rregullohet. Kështu e kemi shpjeguar ne juria sepse kemi dashur të shpërblejmë Lirakun për një punë shumë të mirë dhe e kemi shpërblyer. Aktorin e parë më të mirë që ka qenë Ismet Azemi dhe aktorin e dytë Lirak Çelaj”, sqaroi Fadil Hysaj.

Ndërkohë, Çelaj nuk i arsyeton fjalët e regjisorit Hysaj ngaqë, sipas tij, atëherë kur bëhen nominimet është dashur të formulohet saktë. Sipas tij, vendi i parë për aktorin e parë dhe vendi i dytë për aktorin e parë. “Mirëpo, i dyti zakonisht shkon për rolin e dytësorit, ndërsa nëse këta kanë shpikur një formë të re atëherë është çështje tjetër”, theksoi Çelaj.

Çelaj përsëri sqaroi që atë natë është njoftuar me telefon që ka marrë çmimin më të mirë për rolin dytësor. Dhe sipas tij, kjo ishte e keqja. “Unë thjeshtë kam dashur të shpjegoj që nuk është rol dytësor por rol kryesor, d.m.th. është gabim teknik. Më shumë hidhërimi është tek gabimi teknik se sa a kam marrë shpërblim apo jo, ndonëse mendoj që kjo nuk është pa dashje”, tha ai.

Çmimi është kthyer nga Celaj, mirëpo ai tha se po të ishte vendi i dytë për rolin kryesor kjo nuk do të ndodhte, sepse nuk ka qenë problemi tek ajo pjesë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›