Presidenti Sejdiu nxjerr dekretin për faljen e 62 të dënuarve
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, nxori dje dekretin e parë për faljen e të dënuarve me rastin e përvjetorit të parë të pavarësisë së Kosovës. Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në ligj, Presidenti nxori dekretin për faljen e dënimit të mbetur apo uljen e dënimit për 62 persona që vuajnë dënimet në burgjet e Kosovës në bazë të aktgjykimeve të formës së prerë. Zyra e Presidentit bëri të ditur se dekreti për falje i Presidentit të Kosovës hyri në fuqi më 17 Shkurt 2009. Me këtë rast, Presidenti ia ofroi dekretin ministres së Drejtësisë dhe drejtorëve të institucioneve korrektuese të Republikës së Kosovës për zbatimin e menjëhershëm të tij.
1-vjetori i pavarësisë, Rama uron Kosovën
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, uroi dje të gjithë shqiptarët me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Rama vlerësoi se shteti i ri drejtohet me sukses dhe drejtësi nga kryeministri Thaçi dhe Presidenti Sejdiu, duke garantuar bashkim për interesat dhe aspiratat e Kosovës. “Shteti i Kosovës është mrekullia e shekullit XXI. Vendi më i ri po punon fort për institucione demokratike dhe për integrim europian”, - u shpreh Rama. Kreu i Partisë Socialiste uroi Thaçin dhe Sejdiun për suksese të mëtejshme duke premtuar ndihmë të plotë për progresin e shtetit më të ri në botë.
Ministri Basha, mesazh urimi homologut kosovar
Me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Lulzim Basha, i dërgoi një mesazh urimi ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni. Basha u përcolli urimet më të ngrohta e më të përzemërta për mirëqenien, përparimin dhe begatinë e Republikës së Kosovës, qytetarëve dhe institucioneve të saj. “Përfitoj nga ky rast, i dashur koleg, të shpreh vlerësimet e mia të larta për arritjet e Kosovës gjatë këtij viti historik në ndërtimin e shtetit ligjor, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe afirmimin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”, - thekson në urimin e tij Basha.
Cërvenkovski dhe Gyl urojnë Sejdiun për përvjetorin e Kosovës
Presidenti i Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, si dhe Presidenti i Turqisë, Abdullah Gul, u kanë dërguar dje mesazhe urimi Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në letrën e z. Cërvenkovski thuhet: “Ekselenca Juaj, Me rastin e Ditës së Pavarësisë, më lejoni që në emër të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe në emrin tim personal t'Ju përcjell urimet e sinqerta dhe dëshirat për prosperitetin e mëtutjeshëm të vendit tuaj dhe për mbarësi për të gjithë qytetarët”. Ndërsa në mesazhin e Presidenti Gyl thuhet: “Me rastin e përvjetorit të parë të pavarësisë së Republikës së Kosovës dëshiroj t’Ju përcjell Juve, Shkëlqesia Juaj dhe popullit të Kosovës urimet e mia më të mira në emër të popullit të Turqisë dhe në emrin tim. Nuk kam dyshim se solidariteti dhe bashkëpunimi ynë i ngushtë do të vazhdojë të japë kontributin për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit tonë”.
18 Shkurt 2009