E Diel, 1 Nëntor 2026

Çdo javë, nga një film me rastin e muajit kulturor “Shqipëri-Kosovë”

Arkivi i Filmit projekton pelikulat për Kosovën. Në sallën e kinemasë të AQSHF-së, sot shfaqet filmi “Kur pranvera nuk vonohet”, me regji të Ekrem Kryeziut

Petrika GROSI
Mes aktiviteteve të ndryshme artistike, si mbrëmje gala, koncerte, opera, balet, teatër, ekspozita, seminare etj., në kuadër të muajit të kulturës “Shqipëri – Kosovë”, si dhe me rastin e njëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së shtetit më të ri në Europë, edhe Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në Tiranë do të shfaqë çdo javë (çdo të mërkurë duke filluar nga sot) nga një film që ka të bëjë me tematikën e Kosovës. Kështu, për katër javë me radhë, publiku do të mund të ndjekë në sallën e kinemasë së AQSHF-së tre regjisorët kosovarë dhe një tjetër të huaj, por me një film që, kuptohet, ka të bëjë me çështjen shqiptare. Nga Drejtoria e Arkivit të Filmit mësojmë se publiku i përzgjedhur për këtë shfaqje kinematografike kësaj here do të jenë adoleshentët, kryesisht nxënësit e shkollave të mesme të kryeqytetit, të cilët kanë nevojë për njohje më të thellë të historisë së kombit shqiptar dhe peripecive që u janë dashur të heqë ai edhe gjatë ditëve tona deri në momentin historik të shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Sa u përket filmave që do të projektohen gjatë katër javëve, ato janë dy të regjisorit Isa Qosja: “Proka” (1979) dhe “Rojat e mjegullës” (1988); një film i regjisorit Miomir Stamenkoviç, i titulluar “Uka i bjeshkëve të namuna” (1968) dhe filmi i regjisorit Ekrem Kryeziu “Kur pranvera vonohet”, i cili pritet të shfaqet ditën e sotme. Në fakt, përveç filmave që janë prezantuar në festivalet e filmit të zhvilluara në Tiranë, shumë pak njihen prodhimet kinematografike të Kosovës nga publiku në Shqipëri. Gjithsesi, duhet thënë se gjatë viteve të fundit ka pasur tentativa, ndonëse modeste, për një thellim të bashkëpunimit mes institucioneve filmike të Shqipërisë dhe Kosovës. Rasti më i spikatur i një bashkëpunimi kinematografik mbarëshqiptar ka qenë ai i filmit “Koha e kometës”, me regji të Fatmir Koçit, bazuar mbi skenarin e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare. Për këtë film, përveç palëve të huaja në bashkëprodhim krahas Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, është radhitur edhe producenti dhe aktori protagonist i filmit, Blerim Destani.

18 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›