Duka: “Futbolli do të rrisë prestigjin e Kosovës”

Federata Shqiptare e Futbollit përshëndet në një moment historik për të gjithë shqiptarët, punimet e Asamblesë së Federatës së Futbollit të Kosovës dhe zgjedhjen e presidentit të ri, Fadil Vokrri, në krye të saj.
FSHF është e lumtur të vlerësojë dhe të shpresojë, se këto zgjedhje, që u realizuan në prag të një dite historike për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët, do t'i hapin një perspektivë më të mirë futbollit në Kosovë.
Federata Shqiptare e Futbollit dhe Presidenti Armand Duka, me këtë rast urojnë Qeverinë e Kosovës, strukturat shtetërore të saj dhe të gjithë popullin kosovar, për shpalljen e pavarësisë. Kjo ditë e madhe për të gjithë shqiptarët është përjetuar me emocion dhe kënaqësi të thellë nga të gjithë ne, sepse ka qenë dita kur sakrificat shumëvjecaredhe të popullit heroik të Kosovës, më në fund kanë arritur në përfundimin e ëndërruar, Pavarësinë. Në këto caste të mëdha për shqiptarët kudo në botë, ne vlerësojmë pëpjekjet e klasës politike të shqiptarëve në Kosovë dhe ndihmën e Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe strukturave euoroatlantike.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, është një rast i mirë për Federatën Shqiptare të Futbollit, që të rikonfirmojë mbështetjen për të gjitha strukturat e futbollit të Kosovës dhe të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Në këto ditë historike, të cilat kanë realizuar ëndrrën shekullore të shqiptarëve për një Kosovë të lirë, futbolli dhe strukturat e tij, mund të luajnë një rol shumë të rëndësishëm për rritjen e presitigjit, të shtetit më të ri të botës.