E Shtunë, 31 Tetor 2026

Goleadoret e Champions: Yjet qe sfidojne njeri-tjetrin

KLARA ASQERIU
Rikthehen emocionet e Ligës së Kampioneve me 16 skuadra që do përballen me njëra tjetrën për të vazhduar rrugëtimin për në finalen e Moskës. Liverpul-Inter, Roma-Real Madrid apo Arsenal-Milan janë disa prej sfidave më të spikatura, ku përvec rivalitetit si skuadra do të kenë brenda tyre edhe minisfida të tilla si Torres-Ibrahimovic, Toti-Raul apo Fabregas-Kaka'. E përditshmja "The Sun" ka bërë një listë me 10 golashënuesit më të mirë të këtij aktiviteti në vitet fundit. E kryeson këtë renditje mesfushori i Milanit Rikardo Kaka'. I gjithë Milani i ka varur shpresat te këmbët e brazilianit për të synuar fitoren e dytë radhazi në Ligën e Kampioneve, kjo sepse Kaka' ka aftësinë të ndryshojë rrjedhën e ndeshjes, gjë që e tregoi edhe në sezonin e kaluar kundër Mancester Junajted. Mënjëherë pas tij renditet Kristiano Ronaldo. Portugezi është një shënues i rregullt për "Djajtë e Kuq" dhe kjo shoqërohet edhe me një talent të jashtëzakonshëm të tij. Për Sir Aleks Ferguson ai mund të konsiderohet i paprekshëm. Vazhdon këtë renditje Rud Van Nistelroi. Holandezi i Realit të Madridit ka treguar një formë të jashtëzakonshme në Spanjë dhe këtë sezon ka shansin e tij për të fituar Ligën e Kampioneve. Nuk duhet harruar as Didier Drogba. Futbollisti i Bregut të Fildishtë nuk luan për Celsin prej 6 javësh, megjithatë aftësitë e tij dihen. Sulmuesi 29 vjecar e bën gjithnjë diferencën në fushë falë fuqisë së tij, por edhe nuhatjes për gol. Zlatan Ibrahimovic plotëson 5-ëshën e parë të golshënuesve më të mirë. Suedezi është sulmuesi që ka shënuar më shumë gola në këtë sezon, 5 të tillë, së bashku me Kristiano Ronaldon. 26 vjecari do të jetë elementi kyc për Interin, sigurisht nëse kjo e fundit do të arrijë të përsërisë suksesin që ka në Serinë A. Ndër 10 sulmuesit më të mirë përfshihet edhe Lionel Messi, Uejn Runi apo Fernando Torres. Por ai që përbën surprizën në këtë përmbledhje është Emanuel Adebajor i Arsenal. Adebajor tashmë ka zënë vendin e lënë bosh nga Tierri Henri i larguar te Barcelona dhe ka treguar se e meriton të jetë titullar. Adebajor nuk mungon pothuajse në asnjë ndeshje dhe gjithnjë ka shënuar të paktën në Premier Ligë. Në Ligën e Kampioneve ende nuk e ka lënë shenjën e tij, megjithatë pritet që edhe në këtë aktivitet ai të bëjë diferencën për topcinjtë. Mbyll renditjen e 10 më të mirëve, Ronaldionjo. Braziliani është kritikuar shpesh kohët e fundit për rënie të formës së tij, por nuk ka asnjë dyshim se fantazisti i Barcelonës e ka ende magjinë e lëvizjes së tij dhe hedhja poshtë e vlerave të tij do të ishte dicka e pamenduar mirë nga të gjithë skuadrat kundërshtare të katalanasve. Burimi:-

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›