E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debatik Curri: “Pjesë e kombëtares kuqezi edhe për Botërorin 2010”

Blerim Halimi, KOSOVA SOT
Njëri nga futbollistët e shumtë kosovarë që luan jashtë vendit është edhe Debatik Curri. Ai ditën e pavarësisë së Kosovës e ka festuar në Antalia, së bashku me dy bashkëlojtarët e tij, Armend Dallku dhe Ahmed Januzi. Që të tre këta futbollistë luajnë për skuadrën ukrainase, Vorskla Poltava, e cila këto ditë është duke qëndruar në Antalia të Turqisë për fazën e fundit përgatitore, para stinorit pranveror, i cili nis më 1 mars. Debatiku ka bërë të ditur se drejtuesit e klubit i kanë dhënë pushim treshes kosovare, në mënyrë që ta festojnë ditën më të rëndësishme në historinë e vendit të tyre. "Drejtuesit e klubit kanë treguar mirëkuptim dhe na kanë dhënë pushim për këtë ditë të madhe. Ne e kemi shfrytëzuar dhe po festojmë së bashku, duke ngrënë dolli për pavarësinë e Kosovës. Edhe pse jemi larg, po e ndjejmë festën edhe ne këtu në Antalia", është shprehur Curri. Ish-mesfushori i Prishtinës dhe anëtari i kombëtares shqiptare ka thënë se do të kishte shumë dëshirë sikur në këtë ditë të madhe të ishte në kryeqyteti kosovarë. "Pa dyshim këtë ditë e kemi pritur me shekuj të tërë dhe për të kanë luftuar dhe janë sakrifikuar gjenerata të shumta. Andaj, edhe festa dhe emocionet do të jenë të mëdha. Dëshira ime, si e cdo shqiptari tjetër do të ishte që në këtë ditë të madhe të isha në Prishtinë, por edhe pse jemi larg, me zemër dhe mendje jemi atje", ka nënvizuar Curri. Kosovari në radhët e Vorsklës ka përshëndetur edhe zgjedhjen e Fadil Vokrrit në krye të FFK-së dhe ka shprehur optimizmin e tij se pas pavarësisë, do të ndryshojnë gjërat pozitivisht edhe në futbollin kosovar. Pas pavarësisë do të përparojë edhe futbolli "Mendoj se pas formimit të shtetit në Kosovë do të ketë zhvillime pozitive në cdo lëmi të jetës. Natyrisht pres të përparojë shumë edhe futbolli, pasi ka talente të shumta por që deri më tash kanë munguar kushtet. Sigurisht se pas zgjedhjes së Vokrrit, do të ecin punët më mirë dhe FFK-ja do të marrë edhe donacione nga UEFA e FIFA, por edhe shteti dhe donatorët e ndryshëm do të kontribuojnë në përmirësimin e infrastrukturës, me cka do të rritej edhe cilësia në kampionatin e Kosovës dhe në përgjithësi në futbollin kosovar", është shprehur Curri. Duke pasur parasysh se tashmë Kosova do të pranohet ndërkombëtarisht si shtet i pavarur, pritet që pas një kohe FFK-ja të anëtarësohet në UEFA e FIFA, me cka edhe përfaqësuesja e Kosovës do të fillonte një cikël të ri. Se a do të mund të ketë Kosova një përfaqësuese të fortë dhe të denjë për t'u përballur me kombëtaret evropiane, Curri ka thënë se nuk duhet të ngutemi në vlerësime. "Ende është herët të flasim për cilësinë e përfaqësueses së Kosovës. Përzgjedhësi aktual Edmond Rugova e ka nisur punën, por ende ka shumë punë për t'u bërë për të krijuar një përfaqësuese të mirëfilltë. Megjithatë, rëndësi ka fakti që Kosova ka talente të shumta", ka shtuar Curri. Pjesë e kombëtares kuqezi edhe për Botërorin 2010 Rreth brengës së opinionit në Shqipëri se pas pavarësisë së Kosovës mund të ndodh që futbollistët kosovarë ta braktisin kombëtaren kuqezi, Curri ka thënë se ato gjëra do të vendosën më vonë. "Para kombëtares shqiptare janë kualifikimet për Botërorin Afrika 2010. Sigurisht se ne do të jemi pjesë e kombëtares shqiptare edhe për këtë cikël, kurse se cfarë do të bëhet më pas do të bisedojmë të gjithë së bashku dhe do të marrim vendimin e duhur. Për momentin ende është herët, sepse Kosova në këto kualifikime nuk merr pjesë dhe do të ishte e palogjikshme të braktisim kombëtaren shqiptare". Krejt në fund mesfushori prishtinas ka dhënë edhe një mesazh urimi për të gjithë kombin shqiptarë. "Shfrytëzoj rastin që gjithë kombit shqiptar, kudo që jeton t'i uroj këtë ditë që e kemi pritur me shekuj. Shpresoj të punojmë maksimalisht dhe të na ecin punët mirë dhe të krijojmë një shtet funksional në cdo aspekt", ka përfunduar Debatik Curri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›