E Diel, 1 Nëntor 2026

Blater: “FIFA ka më shumë fuqi se OKB-ja”

FIFA është shnëdruar në organizatën më të konfliktuar në botën e futbollit. Pas paralajmërimit të fortë për të përjashtuar Shqipërinë, më 21 shkurt 2008, në rast se shteti nuk ndalon ndërhyrjen në punët e Federatës Shqiptare të Futbollit, radha tani i erdhi një fuqie të madhe të futbollit europian, si Spanja. Nëse qeveria madrilene nuk do të ndalojë ndërhyrjen në futboll, atëherë federata spanjolle do të përjashtohet nga FIFA. Deklarimi i ashpër është bërë nga presidenti i qeverisë së futbollit botëror, Sep Blater, pikërisht në kryeqytetin spanjoll.
Pasojat do të jenë të frikshme: Spanja nuk do të marrë pjesë në Europianin 2008, finalet e të cilit do të luhen në Austri dhe Zvicër, ndërsa ekipit spanjolle nuk do të lejohen në Ligën e Kampioneve dhe Kupën UEFA. Seriali ndëshkues nuk mbaron këtu, ekipi olimpik spanjoll i futbollit nuk do të lejohet të marrë pjesë në Lojërat Olimpike "Pekin 2008".
FIFA, ndryshe nga vendimi për Shqipërinë, kur asaj iu la një afat i gjatë kohor për firmosjen e statutit të Federatës Shqiptare të Futbollit , Spanjës Blater i la një afat kohor rekord: vetëm 6 orë reflektim. "Ne kemi më shumë fuqi se sa dhe vetë Kombet e Bashkurara"- tha ai.
Blater kujtoi me këtë rast edhe ndërhyrjet e qeverive të Portugalisë dhe Greqisë në Sport. "Politakanët përgjegjës në sport do ta shohin se cfarë rreziku po marrin përsipër", -tha Blater, duke siguruar presidentin e Federatës Spanjolle të Futbollit, Angel Maria Vilar se gëzon mbështetjen e FIFA-s. Vilar është prej dhjetë vjetësh anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s dhe zëvendëspresident i UEFA-s.
Spanja, së bashku edhe me Portugalinë, ka shprehur dëshirën për të organizuar Kampionatin Botëror të vitit 2018.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›