E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malko i bindur: Lushnja, e aftë të triumfojë me çdo ekip

Nga Julian Kasapi

Trajneri Saimir Malko i ka të gatshëm të gjithë futbollistët ndaj Butrintit, që konsiderohet ndeshja e konfirmimit

Lushnjarët janë gati për sfidën e sotme me Butrintin në shtëpi. Kundërshtari është debutues në kategorinë e parë dhe Lushnja ka për detyrë të arrijë një fitore bindëse, që do të konfirmonte faktin se kthesa është bërë. Pas fitores së javës së kaluar me Elbasanin, verdhejeshilët janë të detyruar të fitojnë në njëfarë mënyre edhe besimin e të gjithë tifozëve lushnjarë.

Grupi i plotë Skuadra është e plotë dhe trajneri Malko ka mundësinë të zgjedhë më të mirët për 90-minutëshin e sotëm. Stafi teknik nuk e ka bërë të ditur se cilët do të jenë titullarët, kështu që gjithçka do të mësohet pak momente para se skuadra të zbresë në fushë. Lushnja luajti ndeshjen e kontrollit në mesjavë dhe trajnerët e kanë të qartë se kush duhet të luajë për të siguruar 3 pikët e radhës. Nuk kemi rrugë tjetër përveç fitores në këtë takim, nëse duhet të mbetemi pretendentë.

Me Butrintin do të jetë e vështirë dhe këtë e vërtetojnë shumë faktorë. Ne kemi punuar gjatë gjithë javës për ti përmirësuar gjërat dhe për të rregulluar defektet që janë vënë re në ndeshejn e fundit. E them me bindje se futbollistët tanë e kanë përgatitjen e duhur për të fituar me Butrintin dhe ndaj çdo kundërshtari tjetër, ka theksuar mes të tjerash trajneri lushnjar, Saimir Malko, i cili pret fitoren e dytë në stolin verdhejeshil.

Apel tifozëve Tifozëria lushnjare është një nga faktorët më të rëndësishëm në historinë e klubit verdhejeshil. Pavarësisht se skuadra ka zhvilluar lojëra të nivelit të ulët në javët e para të kampionatit, ajo që kërkohet aktualisht është mbështetja e tifozëve për skuadrën. Nëpërmjet Sportit shqiptar stafi teknik dhe futbollistët kanë bërë këtë apel për tifozët: Tifozëria lushnjare është një armë shumë e fortë e skuadrës, gjithmonë e gatshme për mbështetje. Sigurisht që ka pasur paraqitje negative këtë sezon, por mund të themi se kthesa është bërë dhe ne do të luajmë për të sjellë kënaqësi te tifozët tanë, duke fituar me Butrintin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›