E Diel, 1 Nëntor 2026

Bush: “Jam penduar për deklaratat gjatë tetë viteve si president”



Blerina Olldashi

Ndërsa postit të tij si President i SHBA-ve po i vjen fundi, Xhorxh W. Bush ka shprehur keqardhjen për disa deklarata që ka bërë në lidhje me luftën kundër terrorizmit në këta tetë vitet e fundit. Bush tha se gjatë kohës që ka qenë president duhej të kishte qenë më i kujdesshëm përsa i përket fjalëve që ka thënë. “Jam penduar për disa gjëra që kam thënë”, - u shpreh Bush gjatë një interviste për CNN-in kur iu kërkua të reflektonte nëse ishte penduar për diçka gjatë këtyre viteve. “Bashkëshortja ime më ka këshilluar gjithmonë që si President i SHBA-ve të isha i kujdesshëm për ato që thoja”. Në intervistën e tij, Bush përmendi edhe një frazë që kishte thënë për udhëheqësin Osama bin Laden në lidhje me sulmin e 11 shtatorit, e cila është përfolur mjaft: “Kërkoj drejtësi. Kërkohet, i vdekur ose i gjallë”. Bush gjithashtu është kritikuar për përgjigjet e tij të adresuara ndaj kryengritjeve në Irak në vitin 2003. “Disa ndihen se janë krijuar kushtet që mund të na sulmojnë atje. Përgjigjja ime është: Bjeruni!”,- tha Bush në atë kohë. Megjithatë, Bush u shpreh i kënaqur që ka qenë në krye të një prej kombeve më të mëdha në botë dhe e konsideroi këtë periudhë si “një privilegj”. “Jam krenar që kam qenë udhëheqësi i një populli kaq altruist dhe të guximshëm, të cilët kanë dalë vullnetarë për t’i shërbyer vendit në kohë lufte. Ndihem krenar kur shikoj njerëzit kaq të devotshëm. Jam gjithashtu krenar kur jam në Afrikë dhe shikoj vullnetarë duke ndihmuar ata njerëz që janë duke vdekur nga HIV/AIDS. Ai shprehu dëshirën për t’u kthyer në Teksas pasi të lërë Shtëpinë e Bardhë më 20 janar dhe se mund të shkruajë një libër për periudhën si president. “Më mungon Teksasi. E dua Teksasin. Kam shumë miq atje. Mbase kthehem për të marrë frymë lirisht”, - tha Bush. Në intervistën e gjatë, Presidenti gjithashtu diskutoi për takimin e ditës së hënë me Presidentin e sapozgjedhur Barak Obama si dhe për konsultimet me ish-Presidentin Bill Klinton para takimit me Presidentin e ardhshëm. “Më kujtohet biseda që zhvillova me ish-Presidentin Bill Klinton. I telefonova dhe i thashë: “Bill, po përgatitem për të takuar Presidentin e ri dhe m’u kujtua sa zemërbardhë ishit ju me mua. Shpresoj të jem po aq zemërbardhë me Presidentin e zgjedhur Barak Obama”. Bush përshkroi atmosferën në Zyrën Ovale me Obamën dhe sqaroi se i dha Presidentit të ardhshëm mbështetjen e plotë për tranzicion sa më të shpejtë dhe paqësor.

Obama, rregulla të rrepta për tranzicionin

Presidenti i zgjedhur amerikan, Barak Obama, ka vendosur të zbatojë rregulla të ashpra që synojnë të reduktojnë rolin e lobingut, teksa përgatitet të krijojë administratën e tij. Shefi i ekipit të tranzicionit, Xhon Podesta, tha se zoti Obama do të vendosë “rregullat më të rrepta dhe më etike” të përdorura ndonjëherë nga ndonjë ekip tranzicioni. Ai premtoi gjithashtu edhe kalimin më transparent dhe të hapur të pushtetit në histori.
Zyrtari i lartë i ekipit të Presidentit të zgjedhur Obama dha shenja lidhur me prioritetet e administratës së tij të ardhshme.
Megjithatë, ai nuk bëri të ditur kohën kur Obama pritet të bëjë emërimet në postet kyçe si sekretar i Thesarit dhe sekretar i Shtetit. Ai përsëriti se prioriteti kryesor i administratës së re do të ishte stabilizimi i ekonomisë dhe kthimi i Amerikës në punë. Një tjetër çështje e rëndësishme, sipas tij, është edhe Burgu i Guantanamos, për të cilin do të ketë një zgjidhje edhe pse është një çështje e komplikuar.

13 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›