Ban Ki Mun bën thirrje për pranimin e EULEX-it, Prishtina kundërshton
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, u bëri thirrje autoriteteve kosovare që të rishikojnë planin 6-pikësh për implementimin e misionit të BE-së, EULEX, në Kosovë. “Unë shpresoj se qeveria e Prishtinës do ta konsiderojë propozimin tim dhe këtë proces negociatash pozitivisht dhe favorizues për të ardhmen e vendit”, - ka thënë Ban Ki Mun për gazetarët, pas shtyrjes së seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Megjithatë, autoritetet kosovare e kanë refuzuar këtë plan duke e konsideruar si të papërshtatshëm për vendin dhe në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe planin “Ahtisari”. Kryeministri Hashim Thaçi u shpreh dje se Kosova nuk do të lëshojë pe dhe nuk do të pranojë planin e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, për shtrirjen e misionit EULEX në Kosovë. Deklarata e kryeministrit kosovar erdhi pas thirrjeve që BE-ja, OKB-ja dhe SHBA-të i bënë Prishtinës për të pranuar propozimin e OKB-së. Thaçi shtoi se pala kosovare është e gatshme për dialog me Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës rreth kësaj çështjeje. Plani për vendosjen e EULEX-it është kundërshtuar edhe nga lideri i lëvizjes “Vetëvendosje” i cili u ka bërë thirrje liderëve kosovarë që të vazhdojnë të kundërshtojnë planin gjashtë pikësh të OKB-së, pasi ai është në dëm të interesave të vendit. Prishtina zyrtare konsideron se plani përcakton status të veçantë për sistemin doganor të veriut të Kosovës, për policinë serbe, gjyqësinë, trashëgiminë kulturore dhe ndan vendbanimet në vija etnike.
Feith: “Prishtinës nuk mund t’i imponohet plani”
Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë, Piter Feith, ka deklaruar se bashkësia ndërkombëtare nuk mund t’ia imponojë Prishtinës zyrtare planin prej gjashtë pikash, të cilin kjo e fundit e ka refuzuar. Megjithatë, në një intervistë për të përditshmen “Koha Ditore”, Feith ka shtuar se procesi i bisedimeve për këtë plan nuk ka përfunduar. Feith pohoi se nuk do të ketë trysni ndaj Prishtinës zyrtare që të ndryshojë qëndrimin e saj, sepse, sipas tij, qeveria e Kosovës ka shfaqur vetë dëshirën për të mbajtur të gjallë dialogun. Por, ndryshe nga deklaratat e mëparshme, kur është vlerësuar se EULEX-i do të zbarkojë edhe pa pëlqimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Feith ka theksuar se shpreson që në KS të arrihet një konsensus për zbarkimin e EULEX-it dhe të qënit të tij operacional.
13 Nentor 2008