Duka: Për kontratën e De Biazit flasim pas ndeshjes së kthimit me Norvegjinë
Kreu i FSHF-së deklaron se, nuk është moment i duhur për të marrë vendime të tilla
Presidenti i FSHF Armando Duka i ftuar në emisionin Ora Sport Debat ka folur rreth arritjeve të kombëtares dhe shanseve që kemi për tu kualifikuar në botërorin Brazil 2014. Ndaj Norvegjisë kemi bërë një ndeshje të mirë por më e vështira vjen tani. Të gjitha ndeshjet e ardhshme janë shumë të vështira duke filluar nga përballja e kthimin ndaj Norvegjisë me 7 qershor. Ëndrra drejt Brazil 2014 është zgjuar dhe ne duhet ta shijojmë në maksimum këtë fakt.
Kemi marrë rezultate të mira deri tani dhe besoj se do të vazhdojmë me këtë ritëm deri në fund. Do ishte bukur nëse kualifikohemi por duhet ta kemi të qartë se rruga është shumë e gjatë ka theksuar Duka. I pyetur në lidhje me rinovimin e trajnerit De Biazi, Duka u shpreh se: Ka kohë për ta menduar për një gjë të tillë.
Nuk është moment i duhur për të marrë vendime të tilla. Të luajmë njëherë ndeshjen e kthimit ndaj Norvegjisë dhe pastaj të flasim. Duhet të ulemi dhe të diskutojmë objektivat tona dhe ato të De Biazit për të arritur një marrëveshje. E sigurt është fakti se De Biazi ka një simpati për shqiptarët dhe skuadrën të cilën ai drejton.
Me tej Presidenti Duka foli për aktivizimin e Ramës si dhe për pranimin apo jo të lojtarëve që refuzojnë të bëhen pjesë e kombëtares. Rama ka pasaportë shqiptare dhe asgjë nuk e pengon që të aktivizohet me kombëtaren tonë. Vetëm në rast se ai nuk dëshiron të luajë se për sa i përket dokumentacionit nuk ka asnjë pengesë. Në lidhje me ata që refuzojnë kombëtaren unë jam I prerë që ata të mos pranohen më.
Të luash me kombëtaren nuk është vetëm dëshirë apo krenari, të veshësh fanellën e kuqezi është edhe një detyrim për të gjithë lojtarët shqiptarë tha Duka. Ndërsa pyetjes nëse duhet apo jo që Shqipëria të ketë në përbërje lojtarë të huaj si dhe a është FSHF e përgatitur për të përballuar pjesëmarrjen e mundshme në Brazil 2014, Duka garantoi për shpenzimet duke thënë se:
Ne na rastis shumë rrallë të marrim pjesë në evente të tilla dhe do ishte kënaqësi nëse arrihet një gjë e tillë për mbarë kombin shqiptar. Të gjithë do të kontribuonin që ne të përfaqësohemi denjësisht. Për sa i përket lojtarëve në kombëtare unë jam i prerë që kombëtarja duhet të jetë e përbërë nga lojtarë shqiptarë, shtoi ai.