E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duka: Qeveria shqiptare, “non grata” për FIFA-n

Futbolli shqiptar ka hyrë tashmë në një fazë delikate, pas 10 ditësh që është jashtë familjes së futbollit botëror. Natyrisht që kalimi i kohës nuk e përmirëson gjendjen, por në krahun tjetër, askush nuk ka ndërmend të lëvizë nga pala ministrore për ndryshimin e saj. "Natyrisht që nuk ka zgjidhje tjetër, përvec plotësimit të kushteve nga Ministria", thotë presidenti i FSHF-së Armand Duka për "Gazetën Shqiptare". Zakonisht në Shqipëri janë misionet ndërkombëtare ato që zgjidhin cështje të brendshme, por në këtë rast gjërat duket se janë ndryshe.
President, 10 ditë të pezulluar dhe askush nuk duket se ka ndërmend të lëvizë. Si do të shkojë kjo punë?
Rruga dihet, ne duhet të rikthehemi në FIFA. Por, Zoti shpresoj t'i tregoj rrugën Spahisë dhe Spahive në Shqipëri.
Në fakt, një tërheqje e Ministrisë nuk po duket. A mund të ketë një mision ndërkombëtar të FIFA-s apo UEFA-s në Shqipëri për këtë cështje?
Nuk e di, por nuk besoj. Kjo, sepse qeveria shqiptare është shpallur "non grata" nga FIFA. Ata nuk kanë dëshirë të takojnë më askënd nga kjo qeveri.
Po atëherë?
Zgjidhja është e qartë, Ministria duhet të bëjë ato detyrat e shtëpisë, të bëjë punën e saj dhe të plotësojë ato tre kushte që i janë vënë. E kam thënë edhe më parë këtë, por nuk ka zgjidhje tjetër. FIFA e ka bërë të qartë qëndrimin e saj dhe tani është vetëm në pritje. Por, duke parë sesi po veprohet, më duket se ne do të qëndrojmë për shumë kohë jashtë FIFA-s.
Në fakt, ka pasur edhe një protestë të klubeve, që shkuan madje deri në kërkesë për Asamble. Si do të shkojnë gjërat do të ndiqet në këtë drejtim?
Kjo është ajo që po thosha. Duket se shteti nuk e ka kuptuar dhe ndjek rrugë të ndryshme, me mbledhje firmash e gjëra të tilla. Një tifoz i Tiranës më shkruajti se "arrita të bind të paudhët". Shpresoj që edhe nga shteti të ketë një reagim të tillë.
A nuk ju duket se është tepruar në rastin e Shqipërisë? Ka pasur edhe vende të tjera që janë pezulluar dhe ku shteti është tërhequr shumë shpejt, në Greqi përshembull brenda pak orëve dhe jo për më shumë se 10 ditë...
Jo vetëm Greqia. Ka pasur edhe vende të tjera, ku gjërat janë zgjidhur më shpejt. FIFA e ka treguar se është ajo që fiton në fund.
Burimi: Altin Latifi, Gazeta Shqiptare

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›