Nisin humbjet e para për futbollin shqiptar

Pas pezullimit nga komiteti ekzekutiv i FIFA-s më 14 mars, futbolli shqiptar tani nis të ndiejë humbjet e para. Gjithcka që ishte planifikuar nga FSHF-ja dhe trajner i ri i kombëtares, Ari Han, po shkon dëm. Më konkretisht, më 21 mars ishte programuar një miqësore e kombëtares me Arabinë Saudite, e cila do të zhvillohej në Damam. Këtu, holandezi i kuqezinjve do të provonte lojtarët e përzgjedhur nga kampionati shqiptar, por tashmë është një mundësi e humbur. Në kuadër të takimeve eliminatoreve të vlefshme për botërorin 2010, që nisin në muajin shtator, si asnjë herë tjetër FSHF-ja pati luksin që t'i sigurojë trajnerit kuqezi, në një kohë rekord, 3 miqësore, të cilat nuk i ishin ofruar paraardhësit të tij. Por ato tani ngelen vetëm në letër. Dhe sikur të mos mjaftonte Arabia Saudite, kuqezinjtë do të përballeshin me Moldavinë në Tiraspol, në një ndeshje miqësore të lënë për më 26 mars, një datë e lirë e UEFA-s. Ndaj moldavëve, Ari Han do të kishte në dispozicion kombëtaren e vërtetë, madje të rinuar, sepse lojtarët "veteranë" të kuqezinjve, Alban Bushi, Altin Haxhi dhe Nevil Dede, nuk u thirrën. Këto dy teste, të kërkuara me ngulm nga holandezi, do t'i krijonin atij një ide më të qartë për ekipin kombëtar shqiptar, të panjohur prej tij. Gjithsesi, nga pezullimi i FIFA-s, më shumë se kushdo u prek kombëtarja U-21. Kuqezinjtë e rinj, të drejtuar nga Artan Bushati, ishin gati për të nisur përgatitjet në prag të takimit eliminator me Greqinë, më 26 mars. Ky takim shumë i rëndësishëm për ekipin Shpresa do të zhvillohej në stadiumin e Vlorës, teksa ishin marrë të gjitha masat, dhe UEFA kishte dhënë "ok"-in. Por nuk ishte e thënë kështu dhe kjo përballje tashmë është shtyrë për t'u luajtur në një afat të papërcaktuar. Kur humbjet e para kanë nisur për futbollin shqiptar, të shpresojmë që cështja të zgjidhet sa më shpejt, në të kundërt gjërat do të bëhen keq e mos më keq.
Jorgis Memo, Sporti Shqiptar