Protestë para MTKRS-së, ndeshjet nisin me 30 minuta

Mbledhja e së shtunës, FSHF-klube, mund të quhet si hapi i parë për të shpëtuar futbollin shqiptar pas pezullimit nga FIFA. Por tashmë del një detyrë shumë më e rëndësishmë: si do të procedohet për të kthyer Shqipërinë në FIFA. Gjithcka është e qartë: "Të gjithë bashkë për të shpëtuar futbollin."
Drita jeshile për ta bërë një gjë të tillë do të nisë të enjten, kur institucioni i futbollit shqiptar do të presë drejtuesit e 12 klubeve të kategorisë superiore. Por cfarë do të diskutohet në këtë mbledhje? Cilat do të jenë hapat e bashkëpunimit midis federatës dhe anëtarëve të saj? Eshtë fakt që pas mbledhjes urgjente të së shtunës, klubet janë ndërgjegjësuar se rruga për në FIFA nuk zgjidhet me bojkotimin e kampionatit apo mbledhjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme të FSHF-së. FIFA i kërkon Ministrisë së Sporteve të respektojë pavarësinë e institucionit të futbollit. Për këtë, mbledhja që do të zhvillohet të enjten, pritet të nxjerrë konkluzionin përfundimtar për mënyrën se si do të vazhdohet. Burime zyrtare në FSHF treguan dje për "Sportin shqiptar" atë cfarë do t'u kërkohet klubeve, për të bindur palën shtetërore.
"Pa dyshim që klubet janë shumë herë më të qartë se para mbledhjes që u zhvillua të shtunën. Të gjithë e dinë që problemi nuk është FSHF-ja, por Ministria e Sporteve. FIFA e ka bërë të qartë që nuk do të njohë asnjë tentativë për bojkotimin e kampionatit apo mbledhjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme. Kështu, në bashkëpunim me klubet do të bëhen përpjekje për të shpëtuar futbollin. Nëse klubet kërkojnë që të luajnë në kupat e Europës, bashkëpunimi është e vetmja mënyrë që të bindë ministrinë për të kthyer Shqipërinë në FIFA. Në mbledhjen që do të zhvillohet të enjten me drejtuesit e 12 klubeve, këtyre të fundit do t'u kërkohet një mendim, për të arritur më pas në një pikë të përbashkët. Idetë e FSHF-së për të bindur ministrinë janë disa. Fillimisht është menduar që në bashkëpunim me klubet të zhvillohet një protestë paqësore përpara dyerve të ministrisë nga komuniteti i futbollit. Gjithashtu, cdo ndeshje e kampionatit do të fillojë me 30 minuta vonesë, në shenjë proteste për situatën aktuale ku ndodhet futbolli shqiptar. Një mënyrë tjetër demokratike është vendosja e parullave në stadiume, të cilat bëjnë thirrje për të shpëtuar futbollin. Këto janë disa mënyra, të cilët do të caktohen pas mbledhjes të së enjtes. Sic është rënë dakord, hapi i parë do të jetë kërkesa për bashkëpunim me ministrinë, ku të dyja palët të ulen në tryezë për të mirën e futbollit,"- deklaroi një nga zyrtarët e lartë të FSHF-së, që nuk kishte dëshirë të identifikohej, pasi ngelet për t'u parë se cfarë do të thonë klubet, që gjithsesi kanë treguar një frymë bashkëpunimi me federatën. Megjithatë, ajo që është më e rëndësishme për kolapsin që ka kapur futbollin shqiptar, ka të bëjë me atë cfarë do të ofrojë ministri Ylli Pango: hapjen e rrugës për në FIFA apo një Shqipëri pa futboll.
Klubet, asnjë kërkesë për Asamble të Jashtëzakonshme
Menjëherë pas mbledhjes së klubeve me komitetin ekzekutiv të FSHF-së, presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, deklaroi se i është paraqitur institucionit të futbollit kërkesa zyrtare për mbledhjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme, e nënshkruar nga 21 vota anëtarësh. Por dicka e tillë duket se nuk qëndron. I kontaktuar dje nga "Sporti shqiptar", shefi marrëdhënieve me mediat, Tritan Kokona, deklaroi se në FSHF nuk ka mbërritur asnjë kërkesë zyrtare.
"Vullneti i FSHF-së është që të zbatojë cdo kërkesë ligjore, por deri më tani në ka asnjë të tillë, e cila bëhet nga klubet për mbledhjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme."
Jorgis Memo, Sporti Shqiptar