Duka e shfryn dufin tek administrata e FSHF
Skandali i Kupës së Shqipërisë, i dalë në dritë vetëm pak orë pas ndeshjeve çerekfinale, ka tronditur presidentin e FSHF-së, Armand Duka, i cili zhvilloi të enjten pasdite një mbledhje urgjente me administratën e institucionit të futbollit. I shoqëruar nga dy zëvendëspresidentët, Bujar Kasmi dhe Lutfi Nuri, gjithashtu me praninë e anëtarit të komitetit ekzekutiv, Skënder Hyka, kreu i FSHF-së foli me tone të larta para vartësve të tij. Kjo që ka ndodhur me kompeticionin e Kupës, është cilësuar si e pajustifikueshme nga Duka. Burime të afërta pranë presidentit kanë treguar dje, për “Panorama”, detaje të bisedës që është bërë me administratën e federatës. “Për këtë problem duhet të kishit ndërhyrë sa më shpejt. Pse duhet të shqyrtohet kjo çështje në këtë moment, kur na duhet të futemi në ‘qorrsokak’ me klubet?”, mësohet t’u ketë thënë Duka vartësve të tij, por natyrisht duke shigjetuar indirekt sekretarin e përgjithshëm, Arben Bici, dhe shefin e sektorit të garave, Ilir Shulku. “Presidenti foli me tone të ashpra për të gjithë administratën”, tregojnë burime pranë kreut të FSHF-së. Ndërkohë, në lidhje me shkarkimet e mundshme që mund të bëhen në federatë, mësohet se deri më tani gjithçka është në kuadrin e zërave dhe nuk ka asgjë zyrtare. Sidoqoftë, kjo ngelet për t’u parë në ditët në vijim, sepse ky skandal zor se mund të kalohet kaq lehtë.