E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kupa, FSHF gati të bëjë kurban Partizani-Dinamo

 

Jorgis MEMO

Edhe pse vendimi për skandalin e Kupës së Shqipërisë pritet të merret të mërkurën e ardhshme, në mbledhjen që do të zhvillojë Komisioni i Disiplinës, burime jozyrtare në FSHF kanë bërë të ditur se, mundësitë më të mëdha për t’u bërë kurban në Kupë janë ekipet e Partizanit dhe Dinamos. Të paktën këto janë zërat që qarkullojnë në ambientet e institucionit të futbollit, ku zgjidhja e çështjes mbetet tepër e dyshimtë. Gjithsesi, pritet që Disiplina, në bazë të interpretimit juridik, të vendosë si të thuash “për të keqen më të vogël”. Nga burime koefidenciale pranë disa zyrtarëve me post në federatë, mësohet se i sigurt është kualifikimi i Vllaznisë, por shqyrtimi i problemit të ndeshjes Partizani-Flamurtari është një hall më vete. Megjithatë, zgjidhja në një farë mënyre e këtij çifti është gati e bërë.
Ndryshimi - Një ditë pas skandalit, burime zyrtare në institucionin e futbollit bënë të ditur se rasti i futbollistit Eriol Merxha, që nuk është aktivizuar në ndeshjen Besëlidhja-Flamurtari, përsëri mbetet aktiv, sepse ai ka qenë në stolin e rezervave. Ky version interpretohej me faktin, se futbollisti mund të ndëshkohej me karton nga stoli, kështu që ishte edhe ai pjesë e ndeshjes. Por duket se kjo çështje ka ndryshuar pllakë e tashmë ka kaluar në favor të Flamurtarit, që me shumë mundësi do të jetë gjysmëfinalist, pas vendimit të së mërkurës. “Merxha nuk mund të quhet aktivizim, sepse ka qenë në pankinë dhe nuk e ka bërë fakt aktivizimin. Si rrjedhim, ka gabuar vetëm Partizani, me futbollistët Engert Bakalli e Genti Gjondeda”. Ky është varianti, ku pritet të mbështetet Komisioni i Disiplinës, i bërë i ditur dje për “Panorama” nga burime jozyrtare në institucionin e futbollit. Por, nga ana tjetër, klubet e Flamurtarit dhe Partizanit nuk do të jenë kurrsesi dakord për një ndeshje shtesë. Ky mund të ishte një vendim i Disiplinës, mirëpo duke qenë se duhet një zgjidhje, me “dhimbje” ky komision pritet t’u japë fitoren 2-0 në tavolinë vlonjatëve. “Në fund të fundit, Komisioni i Disiplinës nuk ka çfarë të bëjë, sepse kjo është gjithashtu një praktikë e UEFA-s dhe FIFA-s”, thonë në FSHF.
Shembulli - Precedenti i veçantë me futbollistin Eriol Merxha, aktualisht i Flamurtarit, por që në pjesën e parë të sezonit është aktivizuar me Elbasanin, duket se është i ngjashëm me ata lojtarë, të cilët nuk janë aktivizuar, por që kanë qëndruar në stol. Bëhet fjalë për lojtarët që kanë dy nënshtetësi, dhe se si vepron FIFA e UEFA në këto raste. “Nëse një futbollist është në pankinë për Greqinë, por nuk aktivizohet, ai ka të drejte të luajë në të ardhmen për Shqipërinë”. Eshtë ky shembulli që jep një person kompetent pranë FSHF-së, në lidhje me precedentin. Por lind pyetja, pse? Gjithçka ka të bëjë me aktivizimin, sepse futbollisti nuk ka luajtur, në rastin konkret, Merxha. Pra, aktivizimin ai nuk e ka bërë fakt të kryer. Natyrisht, të gjitha klubet kanë të drejtën e tyre, ndërkohë që faji më i madh i ngelet federatës. Tashmë, Komisionit të Disiplinës i duhet të marrë një vendim dhe mundësitë më të mëdha janë që vullneti të jetë i tillë, edhe pse kjo mund të krijojë shumë polemika.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›