Duka fiton betejën e parë me bojkotuesit rebelë
Dash Frashëri
Me dy avokatë profesionistë në krah (të dy me mbiemrin Hicka), presidenti i FSHF-së, Duka, doli fitues në raundin e parë me presidentët e klubeve bojkotuese. Do të luhet futboll ditën e diel, por më shumë se kjo, pas një shtyrjeje (me marrëveshje), në krizën që ka mbërthyer futbollin e varfër shqiptar, i fituari (ende jo 100 %), doli presidenti Duka, edhe pse përfaqësuesit e shtatë klubeve të mëdha (kanë mbledhur në total 21 firma presidentësh) bojkotuan ditën e shtunë kampionatin. “E mbledh Asamblenë kur të doni ju, mos e kini atë merak”, - tha me ton triumfatori Duka. “Nëse ju ka thënë Pango se kërkoni zgjedhje, atëherë shkojmë në zgjedhje, por sipas FIFA-s dhe statutit”, - ironizoi jo pak herë gjatë takimit Duka, duke i vënë jo pak herë në siklet presidentët e klubeve.
15 DITË AFAT
“Të caktohet data e Asamblesë së Jashtëzakonshme brenda 15 ditësh nga presidenti Duka për mbledhjen dhe për zgjidhjen përfundimtare të krizës me FIFA-n e UEFA-n për pezullimin e Shqipërisë, përndryshe do të vazhdojmë bojkotimin e kampionatit”, - tha pak para fillimit të mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv “Shtatë klubet rebele”, presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, pasi kishte ratifikuar për herë të fundit edhe qëndrimin e përfaqësuesve të gjashtë klubeve që shpallën të premten bojkotimin e kampionatit deri në shpalljen e datës së Asamblesë së Jashtëzakonshme të Federatës Shqiptare të Futbollit.
JO ME PRESION POLITIK
“Një mbledhje Asambleje në presion të politikës, për një ndryshim statuti nën urdhrat e ministrit nuk e shpejton anëtarësimin e Shqipërisë në FIFA, por përkundrazi, e largon më tepër”, - tha presidenti i FSHF-së, Armand Duka, gjatë debatit të gjatë të zhvilluar në selinë e Federatës. “E para, ne do të tregonim një imazh të keq në sytë e opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtar që ne nuk jemi më të pavarur. Ministri (Pango) nuk dëshiron të miratojë një fjalë apo 15 të tilla dhe sa herë të dojë ai ne do të rrimë e do t’i ndryshojmë ato. E dyta, të gjithë jemi të bindur dhe të gjithë e dimë shumë se nuk duhet ta banalizojmë problemin me një togfjalësh, por duhet që të kemi vërtet pavarësi”, - theksoi numri një i Federatës.
SHTËPIA E PËRBASHKËT
“Nuk e kërkon presidenti, nuk e kërkon as Komiteti Ekzekutiv, por institucioni i Federatës Shqiptare të Futbollit, shtëpia jonë e përbashkët. Nëse do të bëjmë veprime të tilla ne do të demonstrojmë se nuk jemi të pavarur, por nuk do të bindim as FIFA-n e UEFA-n që jemi të tillë. Do të demonstrojmë që jemi një institucion shumë i varur”, - argumentoi bosi i FSHF-së përpara përfaqësueseve të klubeve. Të pranishëm ishin Fushaj i Vllaznisë, Bizhdili i Besës, Çërraga i Elbasanit, Ismaili i Shkumbinit, Tomori i Partizanit, Merlika i Kastriotit e disa orë më pas mbërriti edhe përfaqësuesi i Skënderbeut. “Unë nuk mund të paguaj 500-600 mijë euro në vit për të luajtur me Trebeshinën, por secili nga ne paguan nga 40-50 mijë euro në muaj për të luajtur në Europë”, - tha presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili.
DIPLOMATI DUKA
I mësuar prej kohësh në korridoret e mëdha zvicerane, ku dhe luhet politika ndërkombëtare e futbollit botëror e atij europian, Duka bën diplomatin dhe sfiduesin: “Personalisht jam i gatshëm të zbatoj çdo nen të statutit të FSHF-së. Nëse ai parashikon mbledhje të Asamblesë të Jashtëzakonshme, jam i gatshëm ta thërras, nëse parashikon ndryshime nenesh apo rregulloresh jam i gatshëm. Ta dini mirë, nuk më tremb kjo gjë. Jam i predispozuar ta bëj këtë, por nuk mund të ndërmarr veprime që nuk kanë të bëjnë as me futbollin e luajtur. Të jeni të bindur se nuk do ta ndryshojë asnjë togfjalësh pavarësinë apo varësinë tonë”. Edhe një këshillë prej një njeriu gjakftohtë dhe tipike biznesmeni (për ndryshim çmimi tregu): “Unë u këshilloj të rishikoni edhe njëherë qëndrimin tuaj. Në qoftë se ne kemi detyra nga FIFA për t’i zbatuar, le t’i përmbushim”.
KU QËNDRON E KEQJA?
Kreu i FSHF-së drejton prej pesë vjetësh (nga 2003-shi) shtëpinë e futbollit shqiptar. “Unë mendoj se e keqja është te mënyra jonë e drejtimit të gabuar, por ajo qëndron gjetiu. Nëse doni ta thellojmë të keqen, është mënyra më e gabuar”. Duka, si një zyrtar që është mësuar me ligjet (ekonomist me profesion), kërkon respektimin e shtetit. “Nëse ministri (Pango) nuk bindet nga argumentet tona, atëherë kemi ne detyrë të mbledhim komunitetin tonë, të bëjmë maksimalen që ta bindim atë. Unë nuk shoh se keni nevojë të sqaroheni se ju jeni të tillë. Ju doni ta dhunoni këtë institucion dhe nuk mund ta bëni këtë në mënyrë individuale. Do të dhunoni veten tuaj, futbollin tuaj.
Box:
Duka shkon e vjen
“Duka shkon e vjen, ju do të jeni këtu. Institucioni ynë duhet të jetë i fortë”, - rriti tonin presidenti i FSHF-së. “Federatës i duhet një Vllazni e fortë, një Besë e fortë dhe një Partizan i fortë”, - preku në sedër bosët e këtyre klubeve presidenti i FSHF-së. “Nëse mendoni ndryshe, do të merrni më qafë veten tuaj. Kjo shtëpi futbolli është e juaja. Mos lejoni ta prishni me dorën tuaj. Në çdo hap do të respektojmë statutin tonë. Mua më habit një fakt. Në të njëjtën kohë që FIFA i vë detyra ministrit, ju i kundërviheni vetes suaj. Po gaboheni”.
Autonomi jo me fjalë
“Të deklarosh se kemi shtuar 3, 4 apo edhe 300 fjalë është një problem i shtuar gabim”, - tha avokati Envi Hicka, i studios ligjore “Haxhiaj & Hajdari”, e kontraktuar nga FSHF-ja. “Që të sigurohet pavarësia, jo vetëm e Federatës, por e çdo lloj subjekti tjetër ligjor duhet që kjo shoqatë të ketë mundësi të vendosi vetë. Ministria do të krijojë një precedent të rrezikshëm, që është në bazën e themelin e këtij konflikti. Po jua shpjegoj thjesht. Merr një vendim Asambleja e futbollit, ndodh që ministrit nuk i pëlqen, por kjo nuk shkon”.
Hicka “qan” Meksin: “Kishte nuhatje”
Avokati i njohur, Riza Hicka, njëherësh edhe përfaqësuesi i Tiranës, por dhe hartuesi në vazhdimësi i statuteve në përmirësim e sipër të Federatës Shqiptare të Futbollit kujton edhe viti 1996. “Atëherë ishte e njëjta situatë si kjo tani, kur Marjeta Zaçe (sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Sporteve) provokoi përjashtimin e Shqipërisë, por kishim në krye të qeverisë një njeri si (Aleksandër) Meksi, i cili e nuhati situatën e vështirë dhe e rregulloi menjëherë”, - “qan” kohën e para 12 viteve, juristi impulsiv Hicka. “Ministri, me atë togfjalësh që ka vendosur, na fyen në mënyrë të hapur mua, atë zotërinë atje (Mehdi Bushatin), duke na konsideruar sikur Federata drejtohet nga një grup kriminelësh. Ministri është atje në detyrë prej nesh dhe ai duhet të na ulet. FIFA nuk e përmend fare FSHF-në, por ministrinë si burim të konfliktit. Janë ulur dy herë përfaqësuesit e FIFA-s dhe UEFA-s me shtetin tonë dhe nuk kanë zgjidhur asgjë”, - theksoi Hicka.
Bushati: “Doktorët i kemi brenda nesh”
“Jam thinjur në sport, por nuk gjej dot fjalë ta përshkruaj këtë situatë”, - tha Mehdi Bushati, një nga anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s dhe një figurë e njohur e botës futbollistike. “Presidenti i FIFA-s (Blater) dhe ai i UEFA-s (Platini) kanë një filozofi për të zgjidhur problemet brenda shtëpisë së tyre. Nëse futbolli është i sëmurë, e rregullon komuniteti i futbollit”, - argumentoi ish-futbollisti i famshëm i Dinamos së viteve 1960-1970. “Mua më vjen mirë që me gjithë këto divergjenca, përpiqemi ta zgjidhim së pari brenda nesh. Duhet të jemi të bashkuar për ta shëruar këtë futboll, që mund të ketë një plagë të vogël. Nëse ne do ta thellojmë këtë ndarje, do të jetë e vështirë që të ruajmë pavarësinë e futbollit, siç e kërkojnë institucionet ndërkombëtare, e jashtë politikës dhe pastaj të bëjmë hapin tjetër për të gjetur se kush e pengon këtë drejtim. Nuk kam parë kurrë që klubet të dalin në mënyrë kaq arbitrare për të mos luajtur”.
Pesë ndeshjet e shtyra do të luhen të dielën
Pesë ndeshjet e mbetura të javës së 24-t do të luhen sot, ndërkohë që ditën e enjte përfaqësuesit më të lartë të 12 klubeve do të mblidhen ditën e enjte për të diskutuar sërish me Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së për të përcaktuar rreth hapave të mëtejshëm.
Besëlidhja-Dinamo (1-0, Ivanaj në minutën e 30-të) ishte edhe e vetmja ndeshje e luajtur nga Java e 24-t e Kategorisë Superiore, pas një vendimi urgjent të marrë nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së pas kërkesës së një përfaqësuesi të gjashtë klubeve rebele të Superligës që shpallën të premten bojkotimin e kampionatit deri në shpalljen e datës së Asamblesë së Jashtëzakonshme të Federatës Shqiptare të Futbollit. Pesë të tjerat, të paluajtura ditën e shtunë, do të luhen përfundimisht të dielën. Në fakt, klubet kërkuan për një rishtyrje teknike deri të mërkurën, por mesa duket nuk gjetën konsensusin me krerët e FSHF-së.
Topi i sëmurë
Është e qartë se një pjesë shumë e rëndësishme e “trupit” të futbollit tonë nuk punon normalisht dhe ka dalë jashtë funksionit, duke sjellë jo vetëm një kolaps të plotë në kategorinë maksimale, por duke provokuar edhe një kaos total në topkëmbën modeste shqiptare. Bojkotimi masiv i kampionatit të kategorisë maksimale ndodh për herë të parë në Shqipëri, ndërkohë që shtyrja ishte një ide e drejtuesve të FSHF-së për të pasur edhe kohën e duhur në dispozicion për të arritur një zgjidhje të pëlqyeshme midis dy palëve të pozicionuar shumë qartë dhe diametralisht të kundërta në opsionet e tyre për zgjidhjen e krizës pas pezullimit të Shqipërisë nga qeveria e futbollit botëror, FIFA dhe ajo europiane, UEFA. Me sa duket ultimatumi i FSHF-së për zhvillimin e ndeshjeve të prapambetura të javës së 24-t nuk i trembi drejtuesit e shtatë klubeve.
24 Mars 2008