Aksidentet, 2 të vdekur dhe 2 të plagosur
Aksidentet vazhdojnë të përgjakin rrugët e vendit tonë. Të paktën 2 persona janë raportuar të vdekur dhe 2 të tjerë të plagosur në dy incidente të ndodhura gjatë ditës së shtunë në rrethet e Librazhdit dhe të Vlorës. Një 21-vjeçar nga Librazhdi gjeti vdekjen dje në mëngjes, ndërsa dy bashkëmoshatarë të tij mbetën të plagosur, pasi automjeti me të cilin ata udhëtonin doli nga rruga në aksin Labinot-Fushë. Burimet zyrtare të policisë së qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se viktima i aksidentit është shtetasi Fjordi Dobra, 21 vjeç, lindur dhe banues në qytetin e Librazhdit. Ndërsa të lënduarit janë Artan Allushit dhe Besmir Murrashit. Sipas këtyre burimeve, ngjarja ndodhi rreth orës 05:30 të ditës së shtunë në aksin rrugor Elbasan-Librazhd. Nga hetimet e para të policisë që shkoi në vendngjarje mendohet se aksidenti ka ndodhur për shkak të shpejtësisë me të cilën viktima drejtonte automjetin tip fuoristradë me targë VL 5032 B. Mësohet se dy të plagosurit, të cilëve po iu jepet ndihma mjekësore në Spitalin rajonal të Elbasanit, ndodhen në gjendje kritike për jetën.
Ndërkohë, një vajzë 3-vjeçare nga qyteti i Vlorës, humbi jetën të shtunën në mëngjes pasi u përplas aksidentalisht nga një automjet që drejtohej nga babai i saj. Aksidenti ndodhi në lagjen “1 Maji” të qytetit të Vlorës dhe nga hetimet e deritanishme të policisë, shkak ka qenë pakujdesia e shtetasit V. Rapushi, 34 vjeç, që drejtonte automjetin tip fuoristradë 85 77 B. Burimet zyrtare thonë, se nga veprimet e grupit hetimor në vendngjarje rezulton se 34-vjeçari, po lëvizte mbrapsht me shpejtësi të ulët, kur përplasi për vdekje vajzën e tij të mitur, pa arritur që ta shohë në pasqyrën e automjetit.
Borxhet ndaj KESH-it, gjoba për 16 konsumatorë
ELBASAN - Policia elektrike e Elbasanit ka ndëshkuar 16 subjekte private dhe disa familje, gjatë një aksioni të ndërmarrë në dy javët e fundit që synon rritjen e arkëtimeve në arkën e KESH-it si dhe eliminimin e lidhjeve të paligjshme. Drejtori i Policisë Elektrike në Elbasan, Refik Bozhiqi, tha se “subjektet private, kryesisht janë gjobitur për mosshlyerje të detyrimeve ndaj KESH-it”. Përsa u takon konsumatorëve familjarë ai bëri të ditur se 3 familjeve u është ndërprerë energjia për lidhje të paligjshme, ndërsa për 4 të tjera janë marrë masa administrative për cenim të sistemit matës. “Aksioni do të vazhdojë dhe në ditët e ardhshme, pa toleruar asnjë subjekt privat apo konsumator familjar”, - tha Bozhiqi.
Era e fortë dhe reshjet bllokojnë punën në Portin e Durrësit
DURRËS - Era e fortë dhe deti i trazuar kanë përfshirë gjatë 16 orëve të fundit gjirin detar të Durrësit, duke shkaktuar pengesa në përpunimin e mallrave nga anijet tregtare, por edhe vonesa të vogla në mbërritjen e trageteve. Burime zyrtare nga kapiteneria e Portit të Durrësit thanë se “elektrovinçat portualë kanë ndërprerë përpunimin e anijeve për shkak të motit të keq, ndërkohë që deti me forcë 6-7 ka krijuar vonesa nga 1-2 orë për 4 tragetet që mbërritën sot nga porti i Barit (Itali) në Durrës”. Sipas të njëjtit burim, era me drejtim nga jugu dhe juglindja, që arrin shpejtësinë 60 km në orë, ka bllokuar edhe punën e motopeshkatoreve. Stuhia e erës ndjehet e fortë edhe në qytetin bregdetar. Kohët e fundit, e gjithë Shqipëria është përballur me ulje të ndjeshme të temperaturave, të shoqëruara edhe me reshje shiu dhe dëbore. Prej situatës së krijuar në tre ditët e fundit, ka patur vështirësi në qarkullimin e automjeteve drejt Kosovës.
24 Mars 2008