Vret të riun dhe plagos të dashurën, shkak xhelozia
Ardian Buja vritet me pistoletë nga një person. Plagoset 24-vjeçarja D. B. Zhduket autori. Dyshohet se krimi ka ndodhur për motive xhelozie
SHKODËR – Një konflikt mes dy të rinjve që njiheshin me njëri-tjetrin, në prani të një vajze, ka përfunduar me një bilanc tragjik, ku një 24-vjeçar ka mbetur i vrarë dhe dëshmitarja e pranishme në vendngjarje është plagosur rëndë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bënë të ditur se mbrëmë, në shkallët e një pallati, në afërsi të stadiumit, rreth orës 19:10, në një atentat humbi jetën shtetasi Ardian Buja, banues në lagjen “Perash” të qytetit verior. Burimet policore pohojnë se plumbat kanë qëlluar edhe D. B., e cila ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin rajonal të Shkodrës. Burimet policore bëjnë të ditur se është identifikuar autori dhe po punohet për kapjen e tij, ndërkohë që dyshohet se motivi që ka nxitur përplasjen mes dy të rinjve mund të ketë qenë 22-vjeçarja D. B.
Vrasja
Mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 19:00, shtetasi Ardian Buja, teksa ndodhej nën shoqërinë e vajzës me iniciale D. B., është përballur me një person, me të cilin ka shkëmbyer disa fjalë. Burime nga policia e qytetit të Shkodrës pohojnë se çifti ndodhej në shkallët e katit të katërt të një ndërtese pranë stadiumit të qytetit. Sipas dëshmitarëve okularë të ngjarjes, gjithçka ndodhi fillimisht nga një grindje me fjalë mes Ardian Mujes, 24 vjeç dhe autorit të vrasjes, ku grindja është përshkallëzuar me fjalë të ashpra dhe me grushte. Në këtë moment ka ndërhyrë vajza për të shuar konfliktin mes të rinjve. Por, teksa po përpiqej për të shuar konfliktin, Ardiani është përballur me një breshëri plumbash pistolete, të cilat e kanë lënë të vdekur në vend. Ndërkohë që është plagosur rëndë edhe D. B. Autori i krimit është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Hetimi
Forca të shumta policie kanë shuar në banesën ku ndodhi vrasja dhe kanë marrë dëshmitë e banorëve të pranishëm. Nga të dhënat e para dyshohet se vrasësi ka pasur njohje me viktimën. Burimet policore shtojnë se tashmë është identifikuar autori dhe pritet që të zbardhen rrethanat e plota të krimit, pasi të merret dëshmia e dëshmitares okulare, e cila ndodhet në spitalin e qytetit. Burime spitalore pohojnë se pas dhënies së ndihmës së parë, D. B. është jashtë rrezikut për jetën, por e ka të pamundur që të flasë. Mjekët kanë kryer operacionin mbrëmë deri në orët e vona, për të hequr plumbin që kishte në trup vajza. Trupi i viktimës është dërguar në morgun e qytetit. Grupi hetimor ka ngritur disa pista, ku më e mundshmja është ajo e vrasjes për motive xhelozie. Madje, dyshohet për një lidhje mes autorit të krimit dhe vajzës, e cila ishte kishte lidhje me Ardian Bujën.
a
24 Mars 2008