E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurat popullore për katër sëmundjet e zorrëve

Problemet që këto sëmundje shfaqin dhe shkaktarët e tyre. Konstipacioni shkakton migrenë dhe dhimbje koke
Sëmundjet e zorrës, që prekin si funksionin sekretor, ashtu edhe atë lëvizës të këtij organi, mund të jenë pasojë e ndryshimeve lokale në mbulesën e mukozave dhe neuroreflektore (me anën e nervave) dhe humorale (me anën e substancave që gjenden në gjak). Ndryshimet kryesore që vihen re në këtë trakt mund të përmblidhen si: në pakësimin ose shtimin e sekretimit të gjëndrave të zorrës, që ndikon në procesin e tretjes dhe të thithjes së substancave të ndryshme nga zorrët; në pakësimin ose shtimin e lëvizjes (peristaltikës) së zorrës si pasojë e ndryshimeve nervore ose muskulore në to; në çrregullimet nga parazitët ose mikroorganizmat, të cilët mund të shkaktojnë këto gjendje patologjike: tretje të ushqimit me vështirësi të shoqëruara me grumbullimin gazesh, meteorizëm; acarim, katar të mbulesës mukoze të zorrës të shoqëruar me dalje jashtë të shpeshta ose me heqje barku, diarre, kapsllëk (konstipacion) të shoqëruar me dhembje të anës së majtë ose të djathtë të barkut, zhvillim të parazitëve dhe të mikrobeve, të cilat dëmtojnë mukozën, helmojnë organizmin me produktet e tyre jetësore ose shkaktojnë mahisjen (inflamacionin) e mbulesës mukoze, që shoqërohet me dhembje, heqje barku ose kapsllëk.
Mahisja ose pezmatimi i zorrës së hollë (enteriti)
Mund të shkaktohet menjëherë ose pas një kohe të gjatë nga agjentë të ndryshëm patologjikë. Ajo shoqërohet me dhembje, heqje barku, fryrje të zorrëve nga gazrat dhe çrregullime të tjera. Në këto raste është e domosdoshme dieta dhe përdorimi i barnave që pastrojnë zorrën, sepse ato ndihmojnë në shpejtimin e shërimit. Në mjekimin e mahisjes së zorrës së hollë ndihmojnë bimët që përmbajnë mucilagje e pektina, si mollët e grimcuara hollë dhe çajet e ngrohta në vend të ujit, që përgatiten me tërshërë, oriz, karotë, salep, elb etj. Por bimët, nga të cilat fitohen çajet kundër enteritetit, duhet të përmbajnë para së gjithash, taninë, të cilat me efektin e tyre rrudhës lidhen me shtresën proteike të mukozës duke formuar një cipë mbrojtëse. Ato jo vetëm që mbrojnë zorrën, por edhe ulin pezmatimin, duke ngushtuar enët e gjakut. Gjithashtu, shfrytëzohen edhe bimët me vajra të etershme e me substanca azulenike që kanë veti të efektshme kundër pezmatimit (antiinflamator). Në mjekësinë popullore dhe shkencore takojmë një radhë bimësh, të kombinuara ndërmjet tyre ose jo, për mjekimin e enteritetit, si ftoi, mushmolla, thana, kulumbria, gështenja, boronica, arra, bar pezmin njëmijë fletësh (bishtamithi), trëndafili egër, hudhra, luleshtrydhja, bargjaku, manaferra, mendra, trumza, sherbela, shega, vidhi, tërfili i livadheve etj.
Mahisja e zorrës së trashë (koliti)
Mahisja e mukozës së trashë mund të shkaktohet gjithashtu menjëherë ose pas një kohe të gjatë. Ajo mund të shoqërohet me heqje barku, diarre, e cila shpesh kthehet në kapsllëk. Diarreja shpesh është me shkumë, e cila në raste më të theksuara, del e përzier me gjak me pjesë të patretshme ushqimi dhe me copëza nga mukoza e zorrës. Ndryshe nga koliti i menjëhershëm akut, forma e zgjatur kronike është proces që mjekohet me vështirësi dhe ngadalë. Dieta edhe në këtë sëmundje ka rëndësi të veçantë dhe si rregull, duhet përdorur ushqimi i lehtë që asimilohet shpejt dhe që nuk formon shumë celulozë. Mjekimi i kolitit bëhet, në radhë të parë, me bimë mjekësore që përmbajnë taninë me veprim antiseptik (fenole dhe polifenole), me bimë me esenca që kanë veprim antiinflamator dhe ato me mucilagje dhe pektina. Çajet që përdoren për mjekimin e kolitit duhet të merren për një kohë të gjatë, për një efekt më të mirë. Një lloj çaji duhet të zëvendësohet herë pas here me një lloj tjetër. Çaji mund të përzihet më lëngje frutash për të rregulluar shijen e tij. Për mjekimin e kolitit ka dhënë rezultate të mira kura me bar majasëlli (Teucrium polium), e cila vazhdon 20 ose 30 ditë. Bari i majasëllit jep gjumë.
Heqja e barkut (diarreja)
Diarreja është dukuri që sjell shumë sëmundje akute apo kronike, prandaj suksesi i mjekimit të saj lidhet ngushtë me mënjanimin e shkaktarit. Nganjëherë diarreja kalon shpejt dhe lehtë, duke respektuar regjimin e dietës dhe përdorimin e kurës përkatëse. Vëmendja e veçantë i duhet kushtuar diarresë dhe barkut të fëmijëve të moshës së gjirit gjatë verës, të cilët disa herë janë vdekjeprurës për ta. Marrja e lëngjeve duhet të konsiderohet si një masë e rëndësishme mjekimi, veçanërisht në formën e çajeve bimore që përmbajnë, për shembull: mendër, kamomil, çaj kinez, mollë etj. dhe shumë bimë të tjera që përmbajnë taninë, mucilagje e pektina, ndërmjet të cilave vendin e parë e zënë sythat (majat e kërcejve) dhe gjethet e manaferrës, boronica, hithra, lulebasani, bargjaku, rigoni, hudhra, thana, sherbela, bar pezmi, bishtamithi, kulumbria, vidhi, shega etj.
Kapsllëku (konstipacioni)
Edhe kjo dukuri është pasojë e ndikimit të faktorëve të ndryshëm në organizëm. Kapsllëku vjen si pasojë jo vetëm e sëmundjeve të zorrës së trashë, por edhe e organeve të veçanta dhe të organeve në tërësi. Shpesh ai shkakton lindjen e migrenës dhe të dhembjeve të kokës, dobësi të përgjithshme, shqetësime dhe vështirësi e dhembje në bark etj. Respektimi i regjimit dietetik duke marrë ushqim të pasur me celulozë (barishte) dhe duke bërë lëvizje, gjimnastikë, ecje të gjata dhe shëtitje në ajër të pastër është faktor që parandalon lindjen e kapsllëkut. Për të luftuar kapsllëkun mund të përdoren bimë të ndryshme që përmbajnë glukozide antrakinonike, siç janë drunakuqi, pastaj bimë me mucilagje si mëllaga, liri, kulumbria etj., të cilat jepen të vetme ose të kombinuara në formë çaji. Kundër kapsllëkut arrihen rezultate të mira edhe duke përdorur komposto kumbullash, lëng lakre të shtrydhur, lakër turshi etj.

Të rejat nga shkenca
Avandia kundër diabetit shkakton sëmundje në zemër

Agjencia amerikane e barnave u ka dhënë urdhër firmave farmaceutike që të vendosin një etiketë më të dukshme në paketat me ilaçin Avandia, që përdoret për kontrollin e sheqerit në gjak. Zyrtarët thonë se ky ilaç duhet të shoqërohet me paralajmërimin me shkrim ku të thuhet se Avandia mund të shtojë rrezikun ndaj sëmundjeve të zemrës për ata që e përdorin. Kjo masë u mor pas debateve rreth studimeve kundërthënëse ndaj këtij ilaçi. Në etiketën paralajmëruese mjekëve u kërkohet të tregohen jashtëzakonisht të kujdesshëm kur u japin pacientëve recetë për ilaçin Avandia. Provat afatshkurtër të ilaçit Avandia kanë treguar se te pacientët që e marrin atë shtohet rreziku për goditje në zemër. Ndërsa prova afatgjatë kanë treguar kryesisht se Avandia nuk paraqet ndonjë rrezik më të madh sesa ilaçet e tjera që përdoren kundër diabetit. Firma farmaceutike “Glaxo Smith Kline”, që prodhon Avandian, ka ndërmarrë një studim më afatgjatë për ta krahasuar këtë ilaç me barnat e tjera kundër diabetit. Por rezultatet e këtij studimi priten të shpallen të paktën pas gjashtë muajsh. Ndërkohë, ekspertët thonë se rreziku i mundshëm që paralajmërohet për këtë ilaç do të thotë se pacientët me sëmundje në zemër por që vuajnë edhe nga diabeti, nuk duhet ta përdorin Avandian.

Përgatiti: JONIDA TASHI

24 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›