E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtet e higjienës, kontrolle nëpër çerdhe, kopshte dhe konvikte

FIER – Të gjitha çerdhet, kopshtet dhe konviktet në qytetin e Fierit i janë nënshtruar një kontrolli të rreptë higjieno-sanitar nga strukturat përkatëse, pasi kjo periudhë favorizon epidemi dhe helmime nëse nuk respektohen rregullat. Inspektorati Ushqimor, Inspektorati i Higjienës, si dhe Inspektorati Veterinar, pranë Bashkisë së Fierit, kanë hartuar një platformë të përbashkët për kontrollin e cilësisë së ushqimeve dhe kushtet higjieno-sanitare në këto institucione. Si rezultat i këtij bashkëpunimi, rreth 20 mensa kanë kaluar në filtrin e kontrollit. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Burimeve Ushqimore dhe Mbrojtjes se Konsumatorit, Fatos Troka, tha se “objekti i kontrollit të përbashkët ishte verifikimi i higjienës, kushteve dhe standardeve në kuzhinat e institucioneve publike e jopublike, cilësia e gatimeve dhe produkteve të përdorura për gatim” “Ruajtja e shëndetit, parandalimi i epidemive apo helmimeve të ndryshme nga mungesa e higjienës apo përdorimit të ushqimeve të ndotura, ishte qëllimi i kontrolleve të përbashkëta. Rritja e temperaturave favorizon shpërbërjen dhe dëmton vetitë dhe vlerat e ushqimeve ndaj kushtet e ruajtjes dhe të gatimit duhet të jenë më të rrepta”, - shprehet kreu i DRBUMK. Sipas Trokës, rëndësi e veçantë iu kushtua kontrollit të mishit, nëse ai ishte i pajisur me certifikatë shëndetësore dhe raport veterinar, pasi ndihet rreziku i sëmundjeve të transmetueshme nga kafshët në njerëz (zoonozat). “Në përgjithësi nga kontrollet e ushtruara, theksojnë burimet, u konstatua respektimi i parametrave higjieno–sanitarë, kushtet dhe cilësia e gatimit, si dhe vlerat e produkteve.
Vërejtje u bënë për përmirësimin e furnizimit me ujë të ngrohtë në dy mensa”, - shprehet Troka.

24 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›