E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen dollarë dhe euro false

 

Etleva Delia

Tentativa për të këmbyer në bankë 300 dollarë të falsifikuar, ka çuar në pranga 3 të rinj. Gjithashtu janë zbuluar edhe shuma të tjera parash që dyshohet se janë falsifikuar. Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme në Tiranë, kur policia mori njoftim nga punonjës të bankës "Emporiki" tek rruga e Kavajës, se dy të rinj kishin tentuar të këmbenin me lekë dollarët e falsifikuar. Menjëherë ka nisur një operacion i Antikrimit Ekonomik të kryeqytetit i koduar "Euro Bank", në bashkëpunim edhe me Komisariatet Nr.3 dhe Nr.6. Policia ka arritur të parandalojë hedhjen në treg të 2 mijë dollarëve amerikanë si dhe 1250 eurosh të falsifikuar. Fillimisht janë arrestuar 23-vjeçari Altin Plaku, nga Durrësi dhe 25-vjeçari Hekuran Curri nga Ndroqi i Tiranës, të cilët kanë tentuar këmbimin në bankë. Më pas policia ka zbuluar se shumën e parave false ata e kishin marrë nga bashkëpunëtori i tyre, i cili dyshohet se i prodhonte dollarët, Hasan Dardha, 24-vjeç, nga Ndroqi. Burime nga policia bënë të ditur se menjëherë janë vënë në ndjekje të së riut, i cili është arrestuar vetëm disa orë pas miqve të tij dhe në banesë i janë gjetur edhe 2000 dollarë të tjera, prerje 100 dollarëshe, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara. Më pas gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Altin Plakut u gjetën edhe 1250 euro false. Të njëjtat burime bënë të ditur se paratë e prerjes 100 dollarëshe ishin të përgatitura aq mirë sa me sy të lirë askush nuk mund t'i dallonte që ishin false. Një grup hetimor është ngritur menjëherë për zbardhjen e aktivitetit të së rinjve, të cilët dyshohet se mund të kenë këmbyer edhe herë të tjera para të falsifikuara. Ndërkohë dyshohet se kartëmonedhat përgatiteshin nga një makineri e posaçme, e cila nuk është gjetur ende. Operacioni i policisë ende vazhdon për të zbuluar "punishten", ku dyshohet se të rinjtë prodhonin dollarët dhe eurot, apo vendin nga ato kanë ardhur.
ELEMENTET E SIGURISE
Policia pasi ka sekuestruar paratë, ka ngritur dyshime se ata mund të jenë të falsifikuara, pasi në ekzaminimin paraprak, atyre u mungonin tre elementë sigurie. Përveç ngjyrës së dollarëve, e cila ishte më e çelët, parave iu mungonte edhe filigrani, një element tjetër sigurie te dollarët në formën e një shiriti të hollë të shndritshëm. Gjithashtu edhe letra e kartëmonedhës, megjithëse i ishte përshtatur shumë asaj origjinale, ishte pak më e hollë, duke treguar që ato janë false. Gjithsesi dollarët dhe eurot e sekuestruara janë dërguar në Laboratorin e Kriminalistikës për një ekzaminim më të so-fistikuar. Fija e sigurisë, përgjithësisht është metalike ose poliestri dhe futet në brumin e letrës. Ajo përdoret si element sigurie te kartëmonedhat, por në rastin e dollarëve që janë sekuestruar dje në kryeqytet, kjo fije nuk ekzistonte.

TE ARRESTUAR

Hasan Bedri Dardha, 24 vjeç

Altin Plaku, 23 vjeç

Hekuran Curri, 25 vjeç

SEKUESTRUAR

2300 dollarë amerikanë 1250 euro

Mekanizmi i falsifikimit të dollarëve

Elementet e sigurisë që dallojnë paratë e rregullta nga ato të falsifikuara, janë ngjyra, filigrani ose fija e sigurisë dhe përbërja e letrës. Fija e sigurisë në shumicën e kartëmonedhave ka përbërje fluoreshente me një ngjyrë të caktuar nën veprimin e rrezeve ultra violet. Në kartëmonedhat e falsifikuara, fija e sigurisë realizohet në dy mënyra: duke e stampuar atë në një kohë me pamjen grafike të kartëmonedhave vetëm në njërën anë të saj si dhe duke futur midis dy shtresave, të letrës, e cila do të përdoret për shtypjen e kartëmonedhës. Gjatë ekzaminimit me rreze ultraviolet, fija është e pandjeshme karshi këtyre rrezeve. Filigrani ekzistonte edhe tek dollarët që u sekuestruan dje, por ishte i stampuar në njërën anë të letrës. Gjithashtu edhe letra e kartëmonedhës, megjithëse i ishte përshtatur shumë asaj origjinale, ishte pak më e trashë duke treguar që ato janë false. Dollarët ishin prodhuar me fotokopjim, me anë të bojërave me lazer. Kornizat e kartëmonedhës ishin me ngjyrë të zezë, me shkëlqim në sipërfaqen e letrës dhe në vendet e përthyerjes së letrës, boja ishte e plasaritur. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›