E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosja në Linzë, përplasje me armë mes 2 grupeve rivale

 

TIRANE- Arrestimi i Urim Allushit, pronarit të kompleksit "Golden Gold" disa ditë më parë, ka sjellë sërish përplasje mes 5 të rinjve, ku ka mbetur i plagosur një miku i tij. Ngjarja që ka ndodhur në Linzë të Tiranës në shkurt të këtij viti, ku Allushi bashkë me kushëririn e tij plagosën një person dhe tentuan të vrisnin 3 të tjerë, duket se nuk është harruar nga asnjëra palë. Fillimisht për këtë ngjarja ditën që ndodhi u arrestua Alban Allushi dhe një muaj pas tij përfundoi në pranga edhe Urim Allushi. Por kjo ngjarje u pasua edhe me plagosje, kanosje dhe arrestime të tjera. Dy ditë më parë në Lokalin e kushërinjve të Urim Allushit, Leonard dhe Altin Allushit, në rrugën "Myslym Keta" në Tiranë, ka pasur sërish një përplasje me armë. Burime nga policia bënë të ditur se njëri nga vëllezërit Leonardi, në shenjë hakmarrje për arrestimin e kushëririt të tij ka kërcënuar me armë Jurxhin Shimën, mikun e Saimir Sulit, i cili mbeti i plagosur në shkurt në parkingun e lokalit "Golden Gold". Më pas dy miqtë e Shimës, Indrit Deliu dhe Florind Grusi kanë qëlluar me armë në drejtim të vëllezërve Leonard dhe Altin Allushi dhe mikut të tyre Astrit Lozi. Ky i fundit ka mbetur i plagosur dhe është dërguar menjëherë në spital, ku tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë policia ka arrestuar Leonard Allushin, për kanosje dhe armëmbajtje pa leje dhe ka shpallur në kërkim Indrit Deliun dhe Florind Grusin, për vrasje të mbetur në tentativë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›