E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet me 90 gramë metadon, arrestohet

 

TIRANE- Një 43-vjeçar është arrestuar dje nga oficerët e Antidrogës së kryeqytetit, pasi i është gjetur rreth 90 gramë lëndë narkotike e llojit metadon. Sipas një njoftimi për shtyp nga policia e Tiranës bëhet e ditur se është arrestuar Ilir Zenko, pasi gjatë një kontrolli personal që i kanë bërë oficerët e policisë i është gjetur edhe sasia e drogës. Arrestimi i tij është kryer në rrugën "Bajram Curri", teksa ai po lëvizte në këmbë. Lënda narkotike ishte e ndarë në 45 pjesë, në formë tabletash dhe dyshohet se 43-vjeçari i kishte për t'i hedhur në treg. Fillimisht Ilir Zenko ka tentuar t'i shmanget postbllokut të policisë, duke tentuar të devijojë rrugë sapo i ka parë. Por ka qenë pikërisht kjo shmangie, që i ka bërë oficerët e policisë, të vihen në ndjekje të tij, pasi kanë dyshuar që 43-vjeçari mund të kishte diçka të kundërligjshme me vete. Më pas ai ka tentuar të largohet me vrap, por nuk i ka shpëtuar dot uniformave blu të cilët e kanë ndalur dhe kanë ushtruar kontroll fizik ndaj tij. Sipas policisë lëndën narkotike ai e kishte fshehur në xhepat e brendshëm të xhaketës që kishte veshur. Burime nga policia bënë të ditur se kjo është sasia më e madhe e metadonit e kapur gjatë këtyre viteve të fundit. Tre vitet e fundit gjatë gjithë vitit sasia e kësaj lloji droge nuk i ka kaluar 20 gramë, ndërsa dje në një ditë të vetme është kapur më shumë se 4-fishi i saj. Ndërkohë policia ka nisur hetimet në lidhje me bashkëpunëtorët e Zenkos, si dhe për të zbuluar vendet ku ai e shiste lëndën narkotike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›