E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsenal armësh tek "Drumbaja"

 

GJIROKASTER/ PIRO NASE

Një arsenal i tërë armësh dhe municionesh është gjetur në shtëpinë e "Dru-mbasë", të arrestuarit të tri ditëve më parë nga Policia e Gjirokastrës për trafik droge. Pas prangosjes në flagrancë të Fatmir Jasharit nga Sarandë, forcat e policisë kanë ushtruar kontroll në shtëpinë e tij. Burimet policore të Gjirokastrës kanë saktësuar për gazetën "Panorama" se agjentët e antikrimit të organizuar kanë ushtruar një kontroll të imtësishëm në banesën e Jasharit, i njohur me pseudonim "Drumba". Si rezultat i këtij kontrolli të befasishëm është arritur të zbuloheshin sasitë e armëve dhe municioneve të strehuara në një nga ambientet e banesës të tij, në qytetin e Sarandës. Tre armë zjarri automatike tip "kallashnikov", 2 kg tritol, 680 kapsolla detonatore, 50 prej të cilave kanë qenë të montuara me fije teli, 50 metra fitil ndezës, 1500 fishekë automatiku së bashku me 6 krehra të mbushur me fishekë, ka qenë sasia e arsenalit luftarak të gjetur në banesën e Jasharit. Kontrolli i befasishëm në banesën e njërit prej personave të përfshirë në trafikun e drogës nga Lazarati në Greqi dhe i skeduar për disa vepra penale nga ana e policisë është kryer nga ana e specialistëve dhe agjentëve të Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, në bashkëpunim me uniformat blu të Sarandës. Policia nga ana e saj ka përpiluar vendimin e ekspertimit tekniko-balistik dhe kimik për lëndët plasëse dhe më pas ka bërë sekuestron e armëve dhe lëndëve plasëse në cilësinë e provës materiale. Materialet iu përcollën organit të akuzës së Gjirokastrës për hetime të mëtejshme në ngarkim të shtetasit Fatmir Jashari, "Drumba". Ky i fundit përveç akuzës së ngritur tri ditë më parë për trafikim të lëndëve narkotike, do t'i duhet të përballet edhe me veprën tjetër penale të formuluar dje nga organi i akuzës, atë të prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve. Aksioni i djeshëm i Policisë së Gjirokastrës u ndërmor në vijim të operacionit të koduar "Rrëshqitja", zhvilluar gjatë orëve të mbrëmjes së datës 29 mars ku u sekuestruan dy armë zjarri, rreth 50 kilogramë marihuanë dhe u arrestuan në flagrancë përveç "Drumbasë" i quajtur Fatmir Jashari edhe Izet Boçka në aksin rrugor Gjirokastër-Muzinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›