E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilir Meta: Rama dhe Berisha i hoqën dinjitetin Parlamentit

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, nga salla e Kuvendit, ku ndodhet prej gjashtë ditësh në grevë urie, ka akuzuar Kryeministrin Berisha si hipokrit, por edhe si personazh pjesërisht të sinqertë. Sipas Metës, shefi i mazhorancës nuk po e bën Kodin Elektoral për t‘i prishur punë LSI-së, por po e bën sepse ashtu ia kërkon kreu i forcës më të madhe opozitare. "Edi Rama ka tmerr nga zgjedhjet e lira dhe nga konkurrenca me të majtën dhe brenda partisë së tij", u shpreh shefi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Sipas tij, PS-ja ka një sundimtar dhe jo një kryetar, siç është kryebashkiaku i Tiranës, i cili po tenton t‘i prishë punë partisë së dytë më të madhe brenda opozitës, për shkak se trembet nga zgjedhjet e lira, duke kushtëzuar në këtë mënyrë shefin e shumicës parlamentare. "Nuk kemi dashur të hyjmë në një grevë urie, pasi kjo nuk është e mirë për askënd. Por e gjitha kjo ka ardhur si rezultat i bindjes sonë të fuqishme, që Rama me Berishën, pas ndryshimeve në themelet që iu bënë Kushtetutës, synojnë të mbyllin ciklin e ndryshimeve institucionale", theksoi Meta. Kreu i LSI-së akuzoi edhe deputetët e Partisë Socialiste, të cilët në seancën e ditës së enjte nuk i kanë dhënë dorën dhe nuk i kanë përshëndetur 10 kolegët e tyre grevistë. Meta tha se Rama me Berishën i hoqën dinjitetin Parlamentit, duke hequr zgjedhjen nga populli dhe duke futur listat, a thua se parlamentarët janë nëpunës bashkie, apo të Kryeministrisë. Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, shprehet se greva ka si qëllim mbrojtjen e votës së lirë, pasi ajo nuk ka si synim interesat partiake. "Është imorale për pjesën tjetër që po bëjnë hapa regresivë. Kjo grevë po ia arrin qëllimit të saj dhe morali është mjaft i lartë", tha ai. Sipas Ndokës, tre grevistë kanë pasur probleme me shëndetin përpara se ta fillonin këtë grevë dhe aktualisht ai shprehet se ata kanë bërë rezistencë deri tani. "Zoti Braho dhe Tola janë me ilaçe", shprehet ai, duke theksuar se të 10 deputetët kanë guximin dhe moralin për të vazhduar më tej. "Ndjeva trishtim kur pashë miqtë e mi, si nga opozita dhe mazhoranca, teksa ulnin kokën dhe kishin frikë të ishin të lirë. Kjo grevë është edhe për lirinë e tyre", tha Ndoka.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›