E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dule del nga rreshti i Berishës

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut pozicionohet kundër Kodit të ri Elektoral. Tre deputetët e PBDNJ-së do të votojnë kundër kodit të përcaktuar nga PD-PS javën e ardhshme në sallën e Kuvendit. Vendimi i PBDNJ-së u bë i ditur dje nga kryetari i kësaj partie, Vangjel Dule, i cili u pozicionua kundër "të gjithëve". Partia e minoritetit grek pozicionohet jo vetëm kundër formulës së re zgjedhore, por edhe kundër grevës së urisë së 10 deputetëve të Parlamentit. Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, e cilësoi si taktikë të gabuar ngujimin në sallën e seancave plenare të 10 ligjvënësve shqiptarë, të cilët kundërshtojnë ashtu si ai formulën zgjedhore të miratuar mesditën e së enjtes nga dy forcat më të mëdha politike. Megjithëse Kodi i ri Elektoral nuk ka gjetur mbështetje as te partitë e tjera të vogla që bashkëqeverisin me Partinë Demokratike, dy fuqitë e mëdha në Kuvend e plotësojnë numrin e 3/5 për të miratuar paketën e re me 183 nene. Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, ndërsa siguroi për mbështetje morale dhe njerëzore, tha se dy forcat e mëdha politike do të duhej të kishin nisur negociatat me partitë e vogla, përpara se problemi të përshkallëzohej në këtë masë. Sipas Dules, ky Kod Zgjedhor është një minë me sahat dhe paralajmëroi se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të kontestohen. Më tej, ai renditi edhe një sërë çështjesh të tjera, të cilat, sipas tij, faktojnë dështimin e pamohueshëm të këtij Kodi Zgjedhor. Kodi i ri Zgjedhor i miratuar të enjten është kundërshtuar nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. PBDNJ-ja lë mënjanë menefregizmin për Kodin Elektoral, duke sugjeruar se dy variantet më të mira për formulën e komisioneve të numërimit të votave është që ato të ndërtohen nga persona jopartiakë, ose të gjitha partitë në Kuvend të kenë përfaqësuesin e tyre në këto komisione. Ky është motivi pse partia e minoritetit grek kundërshton Kodin e ri Zgjedhor. Kryetari Dule e cilësoi ligjin e ri zgjedhor si një kod i cili nuk do të arrijë të prodhojë zgjedhje të pranueshme dhe për këtë arsye forca që ai drejton do të votojë kundër në Parlament. "Është një formulë e pranueshme ajo e zgjidhjes së komisionit qendror të zgjedhjeve, por kurrsesi nuk mund të jetë e pranueshme për ne, por besoj edhe për besueshmërinë e vetë procesit, komisionet zonale dhe ato të qendrave të votimit. Në asnjë fushë, në asnjë aspekt, në asnjë kohë barazie dhe demokracie nuk mund që llogarinë e tjetrit ta bëjë dikush tjetër", tha Dule. Sipas tij, Kodi Zgjedhor për më tepër është hartuar edhe pa asistencën ndërkombëtare dhe kjo i shton më shumë shanset që produkti final i tyre të jetë i kontestueshëm. 10 deputetë të LSI-së, PDK-së, PS91 prej ditës së hënë janë ngujuar në grevë urie për të kundërshtuar Kodin e ri Zgjedhor, i cili u heq atyre komisionerët në qendrat e numërimit të votave.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›