Pas Moisiut, edhe ish-presidenti Meidani, në mbështetje të grevistëve
Deputetët kanë pasur dje probleme me zemrën, tensionin dhe diabetin, çka ka ngritur në gatishmëri të gjithë ekipin më të specializuar të mjekëve në Tiranë. Kryesia e Kuvendit ka porositur shtimin e masave të sigurisë dhe shtimin e personelit mjekësor, të cilët kanë qëndruar non-stop jo vetëm në oborrin e Parlamentit, por edhe në ambientet e brendshme të tij. Dy ish-presidentët, Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu kanë solidarizuar dhe mbështetur grevën e ish-kryeministrit Ilir Meta dhe 9 deputetëve të tjerë që i janë bashkuar atij. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka zhvilluar dje një bisedë telefonike me dy ish-kryetarët e shtetit, të cilët nuk kanë pasur mundësi të shkojnë në ambientet e Parlamentit, por e kanë përshëndetur atë nëpërmjet telefonit nga Tirana. Edhe ish-personalitete të tjera të larta të vendit kanë mbështetur grevën e deputetëve, duke u bërë pjesë e protestës. Ish-shefi i SHIK-ut, Fatos Klosi, theksoi se këto protesta do të mbahen mend gjatë. Deputetët grevistë ndezin turmën me mesazhe nga brenda sallës së Kuvendit, duke bërë me dije se "ai që nuk dorëzohet është fitimtar dhe turpi u ngelet atyre të tjerëve". Deputeti Nard Ndoka theksoi dje se "nuk pranojmë të dalim nga salla edhe për ndihmë mjekësore, megjithëse kemi shumë nevojë për këtë të fundit, pasi gjendja është përkeqësuar shumë". Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Dritan Prifti, ka bërë me dije se gjendja e grevistëve është rënduar mjaft, madje ai ka theksuar se njëri prej tyre rrezikon jetën. "Mjekët kanë këshilluar largimin e njërit prej grevistëve nga protesta, pasi i rrezikohet jeta, por deputeti nuk ka pranuar të dalë", sqaroi Prifti. Zëdhënësi i grevës së 10 deputetëve informoi gjithashtu se Kodi Elektoral, i miratuar nga Komisioni i Ligjeve, nuk do të njihet kurrë prej tyre, ndërkohë që ka theksuar se pret reagimin e Partisë Socialiste për këtë ngjarje. Shëndeti i grevistëve ka kushtëzuar edhe negociatat e deputetëve grevistë me përfaqësuesit e partive të mëdha. Deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, nuk ka dashur të përmendë emra, por thotë se në momentin që ka takuar të gjithë grevistët ka vënë re ndikimet e para të dobësisë. "E kam parë që gjithë shokët nuk janë mirë. Kanë filluar të kenë probleme shumë shqetësuese shëndetësore. Ata nuk e kuptojnë, por mjekët na kanë thënë se të paktën njërit nga shokët i rrezikohet jeta nëse nuk del nga greva", tha nënkryetari i LSI-së. Megjithatë, LSI-ja duket se ka shpresë për një negociatë të momentit të fundit me Partinë Socialiste. "Kemi kontaktuar me kryetaren e grupit parlamentar të PS-së. Ajo na tha se do të konsultohet me partinë e saj dhe do të na japë përgjigje, por nuk kemi absolutisht asnjë përgjigje", theksoi Prifti. Greva e 10 deputetëve të LSI-së, PDK-së dhe PS91 ka nisur ditën e hënë rreth orës 19.00 dhe sot hyn në ditën e gjashtë. Tentativa për negociata nuk ka qenë në nivele të larta politike. Sipas Priftit, nuk ka pasur kontakte mes grevistëve dhe kreut të PS-së, Edi Rama, apo kreut të PD-së, Sali Berisha, i cili ka "injoruar" grevën dhe është larguar jashtë Shqipërisë.
Shërbimi shëndetësor
4 ambulanca në gatishmërinë e grevistëve
Gjatë ditës së djeshme, katër ambulanca janë vënë në dispozicionin e 10 deputetëve grevistë për çdo rast emergjence. Dita e pestë e grevës së urisë është parë me syrin e kritikës, pasi gjendja shëndetësore e grevistëve ka qenë mjaft e rëndë. Gjatë ditës së djeshme, u është ofruar shërbimi mjekësor dhe mjekët kanë sugjeruar që një pjesë e deputetëve duhet të lënë grevën e urisë. Numri i forcave të policisë ka qenë i pandryshueshëm nga ai i një dite më parë. Rreth 400 policë kanë rrethuar selinë e Parlamentit për të ruajtur qetësinë e turmës së mbledhur në mbështetje të grevës së urisë së deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Partisë Demokristiane dhe Partisë Socialiste 91. Grevistët nuk kanë preferuar që të japin emrat e tre personave që kanë probleme me shëndetin, për shkak që të mos alarmohen familjarët e tyre, të cilët ndodhen jashtë mureve të Parlamentit.