Berisha: Jemi të shtrënguar të negociojmë vetëm me PS-në
Kryeministri Berisha thyen heshtjen dhe i përgjigjet nga Brukseli grevës së 10 deputetëve. "Anëtarët e komisioneve zgjedhore nuk fitohen me greva urie dhe të gjitha partitë kanë pasur kohë të debatojnë për Kodin Zgjedhor në Shqipëri". Ky ishte mesazhi i shefit të qeverisë, i cili ka evituar për pesë ditë rresht të komentojë mënyrën që 10 deputetët zgjodhën për të kundërshtuar Kodin e ri Elektoral. "Së pari, duke shprehur respektin për vendimin e gjithsecilit, më duhet të them se anëtarët e komisioneve zgjedhore, në qoftë se ata vendosën në këtë mënyrë. pra nëpërmjet grevës së urisë, unë sërish mendoj se nuk është e mundur që të caktohen ashtu komisionerët. Kanë pasur çdo rast për të qenë në komision parlamentar dhe kanë qenë në komision, e ligji do të shkojë përsëri në Parlament", u shpreh Berisha. Kryeministri Berisha përsëriti se qeveria është e shtrënguar të negociojë vetëm me partinë më të madhe opozitare dhe se ai nuk mund të anashkalojë Partinë Socialiste për t‘u plotësuar kërkesat partive më të vogla në opozitë. "Partia Demokratike ka qenë në opozitë dhe ka pasur periudha, kur nuk kishte asnjë përfaqësues në komision dhe nuk ka ndërmarrë kurrë veprime ekstreme të grevave të urisë, ose të bojkotit të zgjedhjeve. Kemi bërë çdo përpjekje dhe unë mund t‘ju them një gjë, që numërimi i votave në këto zgjedhje, për ata që e lexojnë atë kod, do të jetë numërimi më transparent në historinë e vendit dhe ndoshta edhe në historinë e Evropës. Sepse është parashikuar që çdo fletë votimi të vendoset mbi skaner dhe të projektohet mbi mur rezultati i saj për të gjithë ata që e shohin", tha Berisha.