E Diel, 1 Nëntor 2026

Dukati zbret perseri ne rruge Berisha larg pronave tona

Protestë paqësore në Orikum: Jo parkut eolik

Dukatasit, sërish në protesta. Rreth 500 banorë janë mbledhur dje në qendër të qytezës së Orikumit për të protestuar për njohjen e të drejtës së pronës. Në mbështetje të dukatasve kanë qenë dhe banorë të Tragjasit, Radhimës, Orikumit. Ata kanë paralajmëruar se nuk do të rreshtin së dali në rrugë, deri në marrjen përfundimtare të certifikatave të pronësisë.

Edviol Kulluri, një nga organizatorët e protestave është shprehur se nuk do të lejohet ndërtimi i parkut eolik në gadishullin e Karaburunit deri në arritjen e një marrëveshjeje mes shtetit dhe banorëve të Dukatit. “Për çështjen e tokave të Karaburunit, ku është parashikuar të ndërtohet parku eolik, ne kemi mbledhur dhe kryepleqësinë e Kuvendit të Dukatit dhe kemi vendosur që nuk do të lejojmë të ndërtohet, nëse nuk do të ketë më parë konsensus me banorët e Dukatit. Gjithashtu, duhet të plotësohen të gjitha kërkesat tona që kemi hartuar në Kuvendin e Dukatit. Ato janë përcaktimi i kufijve gjeografikë të krahinës, kthimi i pronave kullotë në prona me dokumentacion, heqja e postbllokut të Pashalimanit, vendosja e referendumit për çdo vendim dhe veprim të shtetit, i cili mund të na cenojë, si dhe kthimi i tokës nga përdorim në pronësi. Ne këto kërkesa do t’i kemi si ligj dhe nuk do të tërhiqemi pa i plotësuar, qoftë edhe me forcë. Ne do të vijojmë me protesta masive, deri në bojkotim të zgjedhjeve dhe shkollave”, tha Kulluri, duke shtuar se këto vendime i janë paraqitur me anë të një shkrese edhe Kryeministrit Sali Berisha dhe autoriteteve të tjerë shtetërore.

“Kemi njoftuar Kryeministrin e vendit dhe organet e tjera shtetërore se bojkoti i zgjedhjeve është një nga masat që ka miratuar Kuvendi i Madh i Dukatit më datë 19 qershor dhe jemi të vendosur që këtë vendim ta mbajmë për të gjitha qeveritë, nëse nuk pranojnë të negociojnë me ne. Prej 20 vitesh na kanë gënjyer dhe mashtruar. Ne nuk kemi më besim tek askush, sepse e njohim linjën e politikës së tyre. Është turp për ne që të pranojmë këtë formë mashtrimi, ofendim për inteligjencën e krahinës sonë.

Ne nuk mund të pranojmë të mashtrohemi në forma të tilla të ulëta për shumë vite. Tani do t’i themi mjaft dhe ndal, do të vazhdojmë përpara të zhvillohemi”, ka thënë mes të tjerash Kulluri.

Ndërkaq, protestuesit kanë kërkuar zbatimin e ligjit dhe qeveria t’u japë sa më shpejt dokumentet e pronësisë.

“I themi Sali Berishës, se po u zemërua krahina e Dukatit u zemërua Shqipëria dhe ai i di pasojat që mund të ketë. Ne nuk jemi këtu për të treguar se kush jemi, por kemi ardhur për të marrë zgjidhje për hallet dhe kërkesat tona. Ne do t’i mbrojmë të drejtat tona, ashtu siç i ka hije krahinës sonë, prandaj Berisha të mos e ngacmojë Dukatin dhe mos të afrohet te pronat tona, sepse ne do t’i mbrojmë ashtu siç i ka hije shqiptarit”, kanë thënë banorët e revoltuar.

Pas protestës, banorët e Dukatit dhe fshatrave të tjerë të zonë, me banderola në duar i janë drejtuar bulevardit të qytezës së Orikumit. Për disa minuta ata kanë marshuar përgjatë këtij bulevardi dhe njëzëri kanë hedhur parullën tashmë të njohur: “Djemtë për Dukatin, Dukati për Djemtë”. Më pas banorët janë shpërndarë, duke paralajmëruar se do të rimblidhen sërish në janar të vitit që vjen për të protestuar më ashpër për tokat e tyre.

Protesta e djeshme ishte krejt paqësore dhe nuk pati asnjë konfrontim me forcat e policisë, që të shumta në numër, kishin marrë masa për të garantuar mbarëvajtjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›