E Diel, 1 Nëntor 2026

Kadriovski prokuroria fillon procedimin penal per shpifje

Dosja në duart e zv/prokurorit të Tiranës, Genci Qana

Shqipëria i shtohet listës së shteteve që kanë hetuar Daut Kadriovskin. I kërkuar në rini nga 180 shtete, Daut Kadriovski, i cili aktualisht jeton në një lagje të qetë të Shkupit, kryeqytetit maqedonas, ku ka vendosur të kalojë kohën e pleqërisë, do të hetohet nga drejtësia shqiptare për akuzën e “shpifjes për shkak të detyrës”.

Një CD e tij me video-regjistrim ka turbulluar politikën shqiptare. Partia Socialiste, në një dalje publike, akuzon Kryeministrin Berisha, se ka përdorur emrin e Kadriovskit për shantazh ndaj këtij subjekti politik. Ndërkohë PD-ja ka deklaruar se eksponentë të PS-së kanë qenë të lidhur me mafien dhe janë të dyshuar për vrasje dhe trafik droge. Përpos këtyre deklaratave politike, prokuroria shqiptare po verifikon nëse CD-ja e dorëzuar në prokurori nga deputeti Erjon Braçe është origjinale apo e montuar. Pas këtij veprimi do të procedohet me zbardhjen e intervistës që ka dhënë Kadriovski.

“Materiali i Partisë Socialiste ishte në formën e një kallëzimi i cili ishte i shoqëruar nga një zarf ku shkruhej: ‘Ke 24 orë kohë, ndryshe kanalet televizive do ta publikojnë’. Brenda zarfit ishte edhe një CD ku një shtetas kishte dhënë një intervistë. Sipas PS-së, shtetasi në fjalë është Daut Kadriovski, një eksponent i krimit të organizuar i kërkuar nga dhjetëra shtete dhe i burgosur në Gjermani, Itali e Maqedoni. Ky person figuronte i arrestuar në Shqipëri”, thanë burimet nga akuza e kryeqytetit, duke saktësuar se ndaj tij ka filluar hetimi për akuzën e shpifjes. Sipas tyre vepra penale pretendohet se ka ndodhur në territorin e Tiranës për të vetmin shkak se CD-ja është dorëzuar në ambientet e Partisë Socialiste.

Mësohet se në videon e dorëzuar, Daut Kadriovski ka një bredh (nga ata të Vitit të Ri) të zbukuruar pas vetes. Ky detaj tregon se intervista është bërë ditët e fundit në atmosferën e festave të fundvitit. Shqiptaro-maqedonasi Kadriovski i drejtohet nënkryetarit të grupit parlamentar socialist, Erjon Braçe, dhe kreut të PS-së, Edi Rama, duke i kërkuar që të ndërpresin fushatën e tyre politike kundër qeverisë “Berisha” për aferat e korrupsionit. Në intervistën e tij përmenden gjithfarë emrash të tjerë socialistë të periudhës 2001-2002 si Fatos Nano, Makbule Çeço etj. Ndërkohë në Maqedoni dhe Kosovë i drejtohet Hashim Thaçit e Jakup Krasniqit të PDK-së dhe Menduh Thaçit, kryetarit të PDSH-së.

Daut Kadriovski ka qenë i arrestuar në Gjermani në vitin 1985. Në vitin 1993, ai arriti të dalë nga burgu. U arrestua sërish në Shqipëri në Golem, më 5 shtator 2001. 52-vjeçari shkupjan ishte ndaluar ndërsa kërkohej nga Interpoli, me akuza nga Italia, Gjermania e deri nga Australia. Cilësohej si “peshkaqeni” i narkotrafikut. Mbi vete kishte një skedë të mbushur kriminale. Policia e Tiranës e arrestoi për llogari të Interpol Romës, pasi ishte dënuar me 12 vjet burg. Do të ekstradohej në janar 2002. I njohur me emrin e rremë, Mehmet Ajdini, ai kërkohej edhe nga Gjermania e Hungaria për një numër të madh akuzash, ku kryesorja është ajo e drogës, e më pas vrasje dhe arratisje nga vendi i dënimit. Në gjykatë tha: “Në gati dhjetë vjet të aktivitetit tim në Shqipëri jam njohur e kam pasur marrëdhënie me njerëz të të gjitha kategorive, përfshi edhe ministra e politikanë. Kam ardhur në Tiranë, duke filluar nga viti 1992. Në atdheun tim, në Maqedoni, nuk mund të shkoja lirshëm pasi kisha bërë burg për shkak se u rraha me një polic, prandaj preferova Tiranën”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›