E Diel, 1 Nëntor 2026

Padronet e dhunshem te Bulqizes shfrytezojne femijet si sklleverit

Vendi ngjason si perëndimi i egër në SHBA

Çdo ditë në Bulqizë nis e njëjtë me po atë ankth që qëndron pezull mes jetës dhe vdekjes. Në qytetin që nxjerr pasuri të pafundme nga nëntoka gjithçka lidhet me kromin, si mundësia e vetme që kanë banorët e këtushëm për të mbijetuar, për t’u dhënë jetë familjeve të tyre, një realitet i erret ku shumica luftojnë për bukën e gojës ndërsa pjesa tjetër nginjet duke vënë pasuri marramendëse. Minatorët ngjiten ngadalë të përpjetës që të çon në galeritë e errëta të shpërndara kuturu nëpër malin e thatë përballë qytetit. Për pak minuta, shumica humbasin në tunele me shpresën se kjo nuk do të jetë hera e fundit kur do të shohin dritën e diellit. Në galeritë e degraduara ku nuk është vënë dorë që pas rënies së komunizmit gjithçka humbet vlerën e saj. Pronarët e rinj vetëm i shfrytëzojnë ato, pa bërë asnjë investim, ndërsa minatorët ngjasojnë me skllevërit për të cilët askush nuk shqetësohet nëse dalin gjallë apo jo nga këto zgavra të frikshme.

“Minatori kur të vdes do ta marr pensionin, kur të vdes, se pa vdek nuk ka pension, të shkoj 60 vjeç unë? Asnjëherë, jam 48 vjeç, duhet të punoj edhe 12 vjet, joooo le të punojnë vetë, unë s’kam takat më”, thotë një minator. Minatori arrin të nxjerrë në sipërfaqe rreth 10 tonë krom në ditë. Një ton kushton në treg rreth 200–250 dollarë. Mesatarisht një sipërmarrës nxjerr me krahun e këtyre njerëzve deri në 20 mijë dollarë mineral në ditë, ndërsa minatorët paguhen jo më shumë se 2 mijë lekë në ditë. Shifra këto që justifikojnë deri diku shqetësimin e dukshëm që sjell vizita jonë te bosët e minierave që këtu janë shndërruar në të plotfuqishmit e gjithçkaje.

Zona D, është kthyer shpesh në shesh beteje ku nuk kanë munguar as përplasjet me armë mes grupeve të ndryshme që kontrollojnë minierat. Kjo sepse në këtë pjesë siç thonë inxhinierët ndodhet ajka e kromit pa llogaritur edhe stoqet e krijuara ndër vite.

Në këtë zonë, pjese e hartës së ACR, operojnë sot vetëm pak subjekte, pjesa tjetër u mbyllën dhe nuk u hapën më që pas një urdhri të ministrit Ruli në vitin 2009. Harta ku operonte më parë kompania “Darfo” dhe sot ajo ACR është ndryshuar mbi 10 herë, duke ngushtuar hapësirën e kompanisë ruso-austriake me justifikimin se pjesa e mbetur jashtë ishte zone e rrezikshme. Por kohe më pas, pikërisht këto tunele u janë dhënë subjekteve të tjera. Sot, në një pjesë të zonës D, subjekti më i fuqishëm i themeluar në vitin 2009 i nënkontraktuar nga ACR, është ai që sheh si pronar ish-administratorin e DARFOS gjatë viteve 2003–2007 Eduart Ketën, vëllai i kreut të Bashkisë Bulqizë dhe i Partisë Demokratike në këtë qytet, Roland Keta, në bashkëpronësi me Ardian Hiden, kunatin e ish-drejtorit të ACR, Petrit Duva, shkarkuar nga kjo detyrë në fillimvitin 2010, pasi dyshohej pikërisht për lidhjet me subjektet minerare që operonin brenda hartës së koncesionit. Ish-administratori i “Darfo”, Eduart Keta dhe ish-drejtuesi i ACR, Petrit Duva rezultojnë aksionerë në një tjetër firmë, “Vajkal Kedu”, edhe kjo e themeluar në vitin 2009. Ndërkohë, vëllai i kryetarit të Bashkisë Bulqizë përveç 20% në firmën “Runja” është pronar edhe i një subjekti tjetër minerar, pikërisht në zonën D.

Zona D, sipas ekspertëve, ofron krom të pastër në mase mbi 55%, çka do të thotë se cilësia e tij është padyshim më e mira në të gjithë zonën minerare jo vetëm të Bulqizës, por edhe në bazë të standardeve ndërkombëtare. Në këtë zonë shtrihen thuajse të gjithë stoqet e kromit, përfshirë edhe ata A e B të kërkuara nga Bashkia Bulqizë për t’u marrë nën administrim. Një kërkese që u aprovua nga ministri Ruli me vendimin numër 146 datë 17.8.2008, por mbetet ende mister arsyeja që pengoi më pas konkretizimin e saj. Ndërsa sipërmarrësit duket se i kanë kopsitur letrat me qeverinë, radhën tashmë e kanë këta skllevër të epokës moderne. Kromi është buka në këtë zonë. Edhe më të miturit janë bërë specialistë për të dalluar mineralin nga guri i zakonshëm.

Këtu nuk bëhet fjalë për punë të zezë, por një abuzim skandaloz me të gjitha liritë dhe të drejtat e njeriut. Një abuzim që shkërmoq në absurd politikën dhe ushtrinë e OJQ-ve që vegjeton sallave të hoteleve në Tiranë, duke organizuar konferenca për të drejtat e fëmijëve. Në këto stoqe ku kanë humbur jetën jo pak persona, të zënë poshtë nga masivet e kromit, hallexhinjtë fitojnë 50 lekë të vjetra për kilogram teksa pronarët marrin 250 deri në 300 lekë. Edhe këtu vizita jonë nuk mirëpritet. Një grup personash, njëri më agresiv se tjetri, kërcënojnë e më pas dhunojnë trupën e xhirimit të “Top Channel” duke thyer edhe një pjesë të kamerës. Vetëm ndërhyrja e Policisë së Shtetit ka mundur të evitojë përkeqësimin e situatës. Uniformat blu të Bulqizës kanë ndaluar menjëherë autorin e dhunës, duke dhënë shembullin si struktura e vetme funksionale e shtetit në këtë zonë thuajse të kthyer në një xhungël ku ligjin e bën paraja dhe forca. Shtetasi Adem Durici pas informacioneve që kemi mundur të marrim është i afërm i një prej familjeve që kanë në administrim galeri në zonën D, ç’ka nënkupton se mbërritja e tij nuk ka qenë e rastësishme. Pas denoncimit tonë me katër akuza atë të goditjes për shkak të detyrës, kanosjes për shkak të detyrës, fyerjes për shkak të detyrës, dhe shkatërrimit të pronës ky shtetas u ndalua nga policia. Por sërish, drejtësia i nënshtrohet ligjit të xhunglës. Pas dy ditësh, edhe pse prokuroria e Peshkopisë kërkoi masën e arrestit burg pa afat, gjykatësi Ahmet Jangulli, në mënyrë absurde liroi duke mbyllur kështu trekëndëshin, krom-para-dhunë.

Bulqiza tashmë i ngjan atij perëndimit të egër të Amerikës së para 300 viteve, ku gjithkush që zbulonte një minierë ishte pronari i saj dhe pushka ishte i vetmi mjet që bënte drejtësinë. Por me një ndryshim të madh. Në Bulqizë, askush nuk pranon të flasë, sepse mbi të gjitha në qytet mbizotëron frika, frika pasi këtu gjithçka është e lidhur me kromin, bosët e të cilit arrijnë të blejnë këtu edhe jetën edhe vdekjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›