PS depoziton ne prokurori dosjen me akuza ndaj Rulit
Partia Socialiste ka depozituar dje në Prokurorinë e Përgjithshme dosjen e akuzave dhe të dhënave për ish-ministrin e Ekonomisë, aktualisht ministër i Bujqësisë, Genc Ruli. Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Sajmir Tahiri, deklaroi pas kryerjes së procedurave përkatëse se flagranca e kësaj çështjeje është provë për organin e akuzës në thyerjen e klimës së pandëshkueshmërisë. “Sot depozituam në prokurori dosjen me shkeljet flagrante të ligjit e për xhiron marramendëse të parave që Genc Ruli ka realizuar me firmën e tij në rastin e koncesionit të minierës së Bulqizës...Ne gjykojmë se pandëshkueshmëria do të kthehet nga shqetësim serioz në rutinë nëse nuk ndëshkohet as ky rast i pakontestueshëm arrogance i pushtetit të Saliut”, deklaroi Tahiri. Ai e ka përkufizuar rastin në fjalë si moment vendimtar për drejtësinë në vend e cila shihet si hallka më e dobët në zinxhirin e luftës ndaj korrupsionit. “Nëse drejtësia nuk do të funksionojë as për këtë ministër, të zhytur deri në fyt në llumin e korrupsionit të këtij pushteti, që arrin të ndalojë me firmën e vet edhe vendimet e Kuvendit, atëherë jo vetëm drejtësi po as shpresë te drejtësia s’mund të ketë më për askënd”, tha Tahiri.