Duke filluar që sot të gjithë shtetasit që nuk posedojnë pasaporta do të pajisen me kupona në zyrat postare me 200 lekë

Nga sot, të gjithë shtetasit shqiptarë, që nuk disponojnë pasaportë për jashtë shtetit dhe që nuk përfitojnë nga asnjë skemë kompensimi, do të pajisen me kupona në zyrat postare përkatëse të njësive të qeverisjes vendore, kundrejt pagimit të tarifës prej 200 lekë. Në Udhëzimin e Ministrisë së Financave, (MF), i cili ka mbërritur pranë Zyrave të Postës Shqiptare shpjegohet se të gjithë shtetasit, të cilët deri në datën 28.06.2009 janë 18 vjeç e lart, që nuk disponojnë pasaportë për jashtë shtetit si dhe nuk përfitojnë nga asnjë skemë kompensimi, do të mund të pajisen me kuponin për marrjen e kartës së identitetit, kundrejt pagesës së shumës vetëm për 200 lekë. Po kështu në bazë të Udhëzimit të MF-së, nga ky vendim përfitojnë dhe të gjithë shtetasit që votojnë për herë të parë, por që nuk janë në shkolla publike. Kjo kategori shtetasish, në bazë të udhëzimit është e përfshirë në skemën e kompensimit dhe do të duhet të marrin kuponat në zyrat postare dhe jo në zyrat e njësive të pushtetit vendor. Ministria e Brendëshme i vë në dispozicion zyrave postare të njësive të qeverisjes vendore listën e personave, që nuk disponojnë pasaportë. Shtetasit përfitues sipas këtij udhëzimi, paraqiten në zyrat postare të njësive të qeverisjes vendore me një dokument identifikimi, si çertifikatë, patentë, ose dokument tjetër, që kanë fotografi për identifikim të personit. Nëpunësi i zyrës postare bën verifikimin e personit me listat e dërguara nga Ministria e Brendëshme dhe i kërkon atij të paguajë shumën prej 200 lekë për marrjen e kuponit të vulosur nga ana e postës. Udhëzimi përcakton dhe rastet kur shtetasi përfitues nuk figuron në listën e dërguar nga Ministria e Brendëshme dhe nuk disponon pasaportë për jashtë shtetit. Në këto raste, nëpunësi i zyrës postare i kërkon një vërtetim nga policia e shtetit se ai nuk disponon pasaportë, ose nënshkruan një formular, ku deklaron vendbanimin dhe që nuk perfiton nga asnjë skemë kompnensimi si dhe se nuk ka pasaportë. Bazuar në formularin që përmban të dhënat e mësipërme, zyrat postare dërgojnë një herë në javë në Drejtorinë e Përgjithshme të Postës kërkesën për rimbursim të pagesës prej 1000 lekë për çdo kupon të shitur për shtetasit përfitues. Ministria e Brendëshme bën verifikimet e nevojshme dhe i regjistron këto të dhëna në një data-base, të cilën e përdor edhe për të ndjekur shlyerjen e debitorëve. Në rast se shtetasit përfitues nuk pajisen me kartë identiteti pasi kanë marrë pranë zyrave të postës kuponin, ata do të shpallen debitorë kundrejt shtetit. Në Udhëzimin e Ministrisë së Financave thuhet shprehimisht se shtetasit duhet të derdhin vullnetarisht brenda një periudhe 6-mujore vlerën 1000 lekë në zyrat e postës, për llogari të buxhetit të shtetit. Të gjithë personat që në fund të periudhës 6-mujore nuk kanë shlyer detyrimin, shpallen debitorë dhe listat e tyre dërgohen nga Ministria e Brendëshme në njësitë e qeverisjes vendore për vjeljen e detyrimeve. Opozita për disa muaj kërkoi pajisjen falas me karta identitetit për të gjithë shtetasit, të cilët nuk përfitonin në asnjë prej skemave të kompensimit dhe që nuk dispononin pasaportë. Por qeveria e kundërshtoi proçesin e pajisjes me karta identiteti falas, duke e konsideruar atë si një proces mjaft të rëndësishëm, që ka një kosto. Në fund të muajit prill Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për proçedurat e pajisjes të shtetasve pa pasaportë, që nuk përfitojnë kompensim.
...