E Diel, 1 Nëntor 2026

Rektorët:”Të unifikohen kriteret e pranimit të studentëve në privat dhe shtet”



Jonida Tashi

Kriteret e pranimit të studentëve të rinj duhet të jenë të njëjta si në universitetet publike dhe në ato private. Të këtij mendimi janë rektorët e universiteteve, të cilët i kërkojnë Ministrisë së Arsimit, që të unifikohen kriteret e pranimit të studentëve në universitetet publike dhe private. Përfaqësuesit e këtyre universiteteve në Konferencën e Rektorëve, disa ditë para fillimit të vitit të ri akademik kanë kërkuar nga Ministria e Arsimit, mbështetje për rritjen e cilësisë së arsimit.
Kërkesa
Kryetari i Konferencës së Rektorëve, Jorgaq Kaçani, ka kërkuar që kriteret e pranimit të studentëve të jenë të njëjta si në universitetet private po ashtu edhe në ato publike. “Universitetet private dhe publike duhet të vihen në kushte të barabarta konkurruese dhe për këtë do të kërkohen të bëhen financime për të siguruar barazi financiare për të dyja llojet. Universitetet do të jenë të hapura mbi bazën e kritereve të unifikuara”, - u shpreh Kaçani. Ndërsa nënkryetari i Konferencës, profesor Aleks Luarasi, deklaroi se sfida kryesore mbetet rritja e nivelit cilësor të arsimit të lartë. Gjithashtu, rektorët e universiteteve në vend kanë kërkuar që të nisë menjëherë vlerësimi i universiteteve përmes Agjencisë së akreditimit të arsimit të lartë, si dhe të hiqet taksa e TVSH-së, nga universitetet private.
Part-time
Kryetari i Konferencës së Rektorëve ka kërkuar gjithashtu që pranimi i studentëve në sistemin part-time, të bëhet sipas të njëjtave kritere me atë të kohës së plotë. Megjithëse ende nuk është marrë asnjë vendim për studimet part-time, sipas Jorgaq Kaçanit, për pranimin e studentëve në këto studime duhet të merren parasysh rezultatet e Maturës Shtetërore dhe mesatarja e notave. Sipas tij, çdo student që pranohet në universitete, duhet t’i nënshtrohet të njëjtave kritere pranimi. “Kriteret e pranimeve në universitete duhet të jenë të njëjta. Nuk besoj mos të merren parasysh rezultatet e Maturës Shtetërore. Megjithatë këto janë vendime që merren në instanca të tjera, por unë qëndroj në idenë që kriteret e pranimit në universitete duhet të jenë unike si për kohën e plotë ashtu dhe për part-time”, - shprehet Kaçani. Deklaratat e mësipërme drejtuesit e Konferencës së Rektorëve do t’i shqyrtojnë sërish në mbledhjen e radhës. Ndërkohë do të diskutohen, dhe pika të tjera, si heqja e TVSH-së për universitetet, statusi i profesorit, karta e studentit.

Regjistrimi paraprak, 90 për qind e fituesve janë regjistruar

Shumë pak të rinj që kanë fituar të drejtën për të ndjekur studimet në fakultetin e Histori-Filologjisë nuk janë regjistruar aty. Burime zyrtare nga sekretaria e këtij fakulteti bëjnë të ditur se 90 për qind e studentëve fitues janë regjistruar në këtë fakultet. Për pasojë, nga zhvendosja e vijës që përcaktonte fituesin e fundit në katër degët e fakultetit Filologjik pritet të fitojnë të drejtën e studimit në këtë fakultet shumë pak studentë. Procesi i regjistrimit të studentëve fitues në Fakultetin e Histori-Filologjisë është zhvilluar normalisht. Ditën e djeshme, që ishte dhe afti i fundit për regjistrimet e para, sekretaritë kanë qëndruar të hapura deri në orën 19.00 të pasdites në pritje të studentëve fitues që nuk ishin regjistruar.

18 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›