Shqiptarët do të bëhen një ditë shtet i fuqishëm në Ballkan
Albert Bushnell Hart
(Vijon nga numri i kaluar)
Megjithatë, ky grusht njerëzish, edhe pse me një kulturë të vogël, janë bërë njëlloj gur-kyç në situatën ballkanike. Ata nuk janë pa qeveri të vetën. Luis Javay gjeti në Kukës një bejler, udhëheqësi muhamedan i fshatit, i cili jetonte në kalanë e tij. Kryetari i fisit është Peruk Pasha, i cili ndihmonte për marrjen e vendimeve nga pesë “burra të mëdhenj” ose “nënkryetarë” dhe një këshill të përbërë prej 20 burrash të vjetër. Grupi i shqiptarëve të Veriut, të quajtur ndryshe gegë, është në një farë mënyre i balancuar nga një grup jugor, që quhet toskë; të dyja grupet përbëhen nga fise individuale. Por, me përjashtim të qeverisjes së heroit kombëtar, Skënderbeu, i cili ka vdekur prej shekujsh, i vetmi pushtet qendror i njohur nga shqiptarët ka qenë ai i turqve. Nën drejtimin e Abdul Hamidit, nëse myslimanët e Shqipërisë nuk e pëlqenin guvernatorin, ata i dërgonin telegraf Kostandinopojës që ta shkarkonte atë nga detyra. Kur xhonturqit u përpoqën të vendosnin në Shqipëri një sistem të rregullt qeverisjeje, ata thjesht u rebeluan. Njëri prej tyre ishte shprehur: “Ne kemi qenë gjithmonë të lirë dhe kemi ndër mend të qëndrojmë të tillë”.
Lokalizmat mes shqiptarësh
Brenda këtij populli të shpërndarë dhe të ndarë, në të cilin asnjë fis nuk pranon të kontrollohet, madje as nga vetë shqiptarët, me përjashtim të kryetarit të tyre, lufta e madhe ballkanike e vitit 1912 erdhi si një tërmet. Disa prej shqiptarëve shërbyen në ushtritë turke, disa iu bashkuan pushtuesit, por menjëherë u vu re se Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia kishin projekte për Shqipërinë, të cilën ata e shihnin si një pjesë të plaçkës territoriale ndaj Turqisë. Kur Turqia kapitulloi, shqiptarët e konsideruan veten e tyre të pavarur nga kushdo. Kolonët grekë vinin nga Jugu, Mali i Zi mori Shkodrën, i cili konsiderohej si kryeqyteti formal i Shqipërisë së Veriut; serbët u shtynë drejt Perëndimit të Shqipërisë, deri në bregdet. Kombi shqiptar kurrë nuk ishte njohur, por papritur Europa e Bashkuar e zbuloi një vend të tillë. Serbët u tërhoqën nga bregdeti. Mali i Zi dorëzoi Shkodrën; grekët reduktuan kërkesat e tyre mbi bregdetin, pasi Shqipëria duhej të ishte e lirë!
Në Ballkan ekziston diçka komike mbi propozimin e “Autonomisë së Shqipërisë”; Së pari, tradita e vjetër e aftësive të shqiptarëve për të mbajtur vendin e tyre kundër të gjithë të ardhurve është prishur tashmë; pushtuesit marshuan aty ku mundën dhe ku donin; dhe nëse Apashët mund të pushtoheshin dhe Patanët e Indisë të degradonin në bindje; Shqipëria mund të mbahet nga një forcë e mjaftueshme trupash, të pajisur në mënyrë moderne. Detyra nuk është më e vështirë se ajo e Austrisë në Bosnjë, e cila e realizoi një gjë të tillë për një periudhë 30-vjeçare.
Ndarja në besime fetare
Përsa u përket aspiratave të shqiptarëve, ata kanë, sipas disa personave të cilët kanë qëndruar midis tyre, një lloj kodi ligjor të pashkruar, i cili nuk parashikon ndalimin e çifligjeve të fiseve të jashtme. Përsa i përket fesë, ata janë shumë të ndarë; në një vlerësim të përafërt, janë rreth 200 mijë katolikë, 800 mijë ortodoksë dhe 1 milion myslimanë. Në Shqipëri mund të gjeni gjithashtu të krishterë bullgarë që flasin shqip; myslimanë, të cilët e quajnë veten shqiptarë, por flasin gjuhë sllave, dhe ortodoksë shqiptarë që flasin bullgarisht. Mijëra banorë që janë pa dyshim shqiptarë, jetojnë në vende të huaja, që me të drejtë do të quhej territor i Shqipërisë dhe janë nga ana tjetër me mijëra sllavë që jetojnë brenda Shqipërisë. Kështu që në një “Shqipëri autonome” do të shfaqeshin pa dyshim probleme racore, të cilat asnjë nga fuqitë e tjera ballkanike nuk ka arritur t’i zgjidhë deri tani. Nëse testimi i racave nuk mund të qartësojë çfarë është Shqipëria, gjuha mund të arrijë një gjë të tillë shumë mirë. Ekziston një gjuhë shqipe, plotësisht e ndryshme nga gjuhët sllave dhe greke, por ajo nuk ka një alfabet që njihet, nuk ka letërsi, ose një kod ligjor. Ajo përdoret në vend si një gjuhë zyrtare, kryesisht pasi pjesa më e madhe e zyrtarëve turq në vend janë shqiptarë.
Nuk do të ketë unitet
E ashtuquajtura “Shqipëri Autonome” do të jetë një vend me shumë pak unitet dhe pa zgjidhje për t’ia paraqitur një qeverie të rregullt; nuk ka eksperienca të kushtetutave parlamentare; nuk ka traditë të lidhur me pushtetin mbretëror dhe nuk ka një shtëpi mbretërore kombëtare. Ai është një shtet hije, i ngritur nga Europa, pjesërisht për të frenuar tre shtete sllave ballkanike të depërtojnë në Adriatik. Shqipëria Autonome është një shtet me një kryeqytet Shkodrën, - që ndodhet në skajin verior të vendit, i paarritshëm nga shumë vende, në mënyrë që të jetë sa më pranë influencës austriake dhe italiane. Një vend në të cilin çdo person gëzon privilegjin të mbajë një pushkë, që të mos paguajë taksa dhe të mos ketë detyrime ndaj shërbimit ushtarak pritet të mbajë qetësinë, të mbrojë tokën, të rrisë të ardhurat, të ndërtojë rrugë, të hapë shkolla dhe të marrë hua nga komisionarët e huaj. Por, shqiptarët nuk përfshihen në rangun e barbarëve, siç i konsiderojnë fqinjët e tyre, edhe pse vendi nuk është në gjendje të marrë përsipër përgjegjësitë e një shteti modern. Nëse Teodor Ruzvelti ka shfaqur në njëfarë mënyre mundësitë për t’u bërë car i vërtetë, ai duhet të ketë menduar se të kontrollojë Shqipërinë është po aq e thjeshtë sa të kontrollosh forcat e Policisë së Nju Jorkut ose Kuvendin e Çikagos.
Në anën tjetër, Europa e Bashkuar ka vënë re një rrezik, të cilin shtetet e Ballkanit nuk e kanë marrë parasysh; asnjë nga vendet fqinje me Shqipërinë nuk ka forcën fizike ose aftësitë gjeniale të vendosë rregullin në vend dhe ta kthejë Shqipërinë në një vend të qytetëruar. Shqipëria është një popull, edhe pse nuk është një komb. Popullsia e saj prej 2 milionë banorësh nuk mund të lihet në duart e vetë atyre, se të fqinjëve të afërm të saj. Ata mund të civilizohen dhe një ditë mund të jenë një shtet i fuqishëm në Ballkan; por ata do të kalojnë zhgënjime dhe dështime si me luftëra civile përpara se Shqipëria të jetë një nga kombet e pavarura të familjes botërore.
Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 13 tetor 1913
Autori i shkrimit është një historian i njohur amerikan, i diplomuar në Kolegjin e Harvardit, në vitin 1880. Ka shkruar një sërë librash mbi historinë e SHBA-ve dhe ka qenë mik i presidentit Teodor Ruzvelt
Titulli është redaksional
18 Shtator 2008