SHBA-të, thirrje për zgjidhjen e emrit të Maqedonisë
Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Shon Mekormak deklaroi se zgjidhja e kontestit të emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë mbetet në interes të SHBA-ve. Siç citon agjencia e lajmeve, INA, Mekormak bëri thirrje që të dyja palët bashkarisht të zgjidhin çështjen e ashtuquajtur të emrit. Mekormak nënvizoi se SHBA-të në këtë fazë të bisedimeve nuk janë drejtpërdrejt të involvuar, por sipas tij, kërkohet një zgjidhje për problemin dhe mbështetjen për procesin që udhëhiqet nga ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimiç. Maqedonia dhe Greqia janë duke zhvilluar bisedime për emrin e Maqedonisë, megjithatë ende nuk është gjetur një zgjidhje pasi Greqia akuzon fqinjen e saj se po neglizhon procesin. Për këtë arsye, u pengua edhe marrja e ftesës së këtij vendi për anëtarësimin në NATO.
RUSI
Traktat miqësie me Abkhazinë dhe Osetinë
Presidenti rus Dimitrij Medvedev ka nënshkruar një marrëveshje miqësie me liderët e Osetisë Jugore dhe Abkhazisë. “Marrëveshjet për miqësi, bashkëpunim, dhe ndihmë të përbashkët janë fillimi i vënies së bazës legale për raportet tona bilaterale me Abkhazinë dhe Osetinë Jugore raporte që nga tani do të ndërtohen mbi bazën e ligjit ndërkombëtar”,- tha Medvedev. Ndërkohë, Bashkimi Europian ka emëruar diplomatin gjerman Hansjoerg Haber, udhëheqës të misionit vëzhgues në Gjeorgji. Ky mision vendoset në Gjeorgji, pas luftës me Rusinë në muajin e kaluar.
EUROPË
Asnjë rrezik nga kriza financiare
Sipas vlerësimeve të kryetarit të ministrave të financave të Euporës, Zhan Klod Xhanker, kriza financiare ndërkombëtare nuk ka shënuar ende as fundin e saj të përkohshëm. Megjithatë, ai nuk sheh rrezik recesioni për zonën e Europës, tha kryeministri luksemburgas për një radio gjermane. Ashtu si ministri gjerman i financave, Pir Shtainbruk, edhe Xhanker e vlerëson sistemin financiar në Europë më të fortë se në SHBA duke refuzuar programet kundër dobësimit të ekonomisë botërore.
KINË
Helmohen mbi 6.200 foshnja nga qumështi pluhur
Autoritetet kineze kanë bërë të ditur se më shumë se 6.200 foshnja nuk janë në gjendje të mirë shëndetësore pas ushqyerjes me qumësht pluhur të prodhuar nga kompanitë kineze. Ministri i Shëndetësisë, Çen Zhu tha se janë sëmurë 6.244 foshnja, nga të cilat 158 vuajnë nga sëmundja akute e veshkave. Ministri tha se tri foshnja kanë vdekur për shkak të qumështit pluhur. Inspektorët kanë gjetur lëndën helmuese industriale melamin, në qumështin e rreth 20 kompanive kineze.
JEMEN
16 të vrarë në sulmin ndaj ambasadës amerikane
Zyrtarët e Jemenit kanë bërë të ditur se 16 persona janë vrarë në një sulm ndaj ambasadës amerikane në kryeqytetin e Jemenit, Sana.
Ambasada ishte vënë në shënjestër nga një automjet bombë, e cila u pasua nga të shtënat me armë dhe nga raketat. Zyrtarët e sigurisë thanë se 6 anëtarë të forcave të sigurisë së Jemenit, 6 sulmuesit dhe katër kalimtarë janë në mesin e të vrarëve. Përgjegjësinë për sulim e djeshëm e ka marrë një grup, e vetëquajtur “Xhihadi Islamik në Jemen”.
18 Shtator 2008