Berat, rreh gruan për vdekje, arrestohet 62 vjeçari i denoncuar nga e bija
Një 62 vjeçar është arrestuar nga policia e Beratit, pasi akuzohet për dhunë me pasojë vdekjen ndaj bashkëshortes së tij. Burime nga drejtoria e policisë së Beratit bëjnë të ditur se ngjarja për të cilën është arrestuar 62 vjecari Kopi Mice, ka ndodhur dy ditë më parë, pikërisht në banesën e tij në lagjen Kushtrim. Ka qenë ora 20:30 e mbrëmjes kur Mice bashkë me gruan kanë filluar grindjet midis njeri-tjetrit arsyet e së cilës kanë janë quajtur banale nga organe te policisë.
Po sipas të njëjtave burime, 62 vjeçari kishte rënë në kurthin e alkoolit, dhe për të ndërprerë këtë ves, bashkëshortja e tij kishte flakur pijet alkoolike. Në nxehje e sipër për këtë veprim, 62 vjeçari është ngritur dhe ka filluar dhunën ndaj bashkëshortes së tij duke i shkaktuar trauma të rënda. Për dy ditë Mice e ka mbajtur të fshehur këtë keqtrajtim duke mos e lejuar gruan të shkonte të vizitohej, por ka qenë vajza e këtij çifti të moshuarish, e cila ka shkuar rastësisht tek prindërit dhe kur ka parë të ëmën ka reaguar duke e çuar menjëherë në spital. Edhe pse ka marrë mjekimet e shpejta, e dëmtuara L. Mice ka ardhur duke u përkeqësuar nga ana shëndetësore për faktin se traumat dhe goditjet kanë qenë në pjesët më delikate të trupit. Policia ka marrë të dhënat e para për këtë ngjarje nga spitali rajonal i Beratit ndërsa më pas ngjarja është zbardhur nga ana e vajzës e cila ka treguar gjithë rrjedhën e historisë së rëndë për nënën e saj. Vajza e të dëmtuarës ka akuzuar të atin për ngjarjen duke bërë dhe denoncimin ndaj babait i cili është vënë dje në pranga nga organet e policisë së rendit. Po sipas burimeve zyrtare nga drejtoria e policisë së Beratit, gjendja shëndetësore e të dëmtuarës L. Mice është përkeqësuar më shumë ndaj dhe për ti shpëtuar jetën mjekët e kanë nisur drejt Qendrës Spitalore Nënë Tereza në qytetin e Tiranës për mjekim më të specializuar. Sipas bluzave të bardha e dhunuara ka patur dëmtime të rënda në kokë, trup dhe ajo që ka rënduar gjendjen shëndetësore janë traumat psikike të 61 vjeçares. Gjatë ditëve të para gjendja e të dëmtuarës ka qenë pa përmirësim dhe kjo ka shtyrë dhe vajzën e çifti Mice të bënte denoncimin për të atin duke e quajtur fajtor për ngjarjen e rëndë në familjen Mice. Sipas policisë, materialet ndaj kësaj ngjarje me pasoja të dhunshme i kanë kaluar prokurorisë së rrethit gjyqësor duke e akuzuar 62 vjeçarin për veprën penale "të plagosjes së rëndë me dashje", parashikuar sipas nenit 88 të kodit penal.