Dukuria, gjermani Shulze “pushkaton” dy trajnerë shqiptarë

Trajneri gjerman i Vllaznisë, Ulrih Shulze është shndërruar në një "killer" për trajnerët shqiptarë të Superligës. Edhe pse vetë ai ka qenë shumë pranë largimit disa herë, ka mundur të "provokojë" shkarkimin e dy trajnerëve në Kategorinë Superiore. "Viktima" e parë ishte trajneri me përvojë modeste, Mustafa Hysi që u zëvendësua nga Ilir Spahiu, pas përfundimit me humbje të ndeshjes së parë Luftëtarit me Vllazninë (1-0). Gjermani 59-vjecar, me një përvojë gati 30-vjecare në punët e futbollit vendosi përpara "Skuadrës së pushkatimit" një emër të madh si Faruk Sejdini, kampion me Dinamon në sezonin 2001-2002. "Xhaxhi" u shkarkua menjëherë pas humbjes fatkeqe me Vllazninë (0-3). Të shtunën Vllaznia do të udhëtojë në Tiranë për t'u përballur me Partizanin e Neptun Bajkos. Të kuqtë kanë humbur pesë pikë në dy ndeshjet e fundit, ndërsa ndodhen me vetëm një pikë më shumë se Vllaznia në tabelën e renditjes: 14:13. Nëse do të fitojë Vllaznia, askush nuk mund të parashikojë fatin e metejshëm të Bajkos. Shulze mund të shijojë "viktimën" e tretë...