E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda, Lohan: Rendi ligjor, përmbi bindjet politike dhe interesat

Ministri
Nishani dhe ambasadori Lohan përurojnë ndërtimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda

Tiranë, 5 Shkurt NOA - U përurua sot në Tiranë
Gjykata e Krimeve të Rënda, ndërtimi i të cilës u mundësua nëpërmjet financimit
prej 6.5 milionë euro të Komisionit Evropian. Pothuajse tre vjet pas fillimit
të punimeve, Gjykata e Krimeve të Rënda tashmë ofron kushte të shkëlqyera për
një punë efiçente, profesionale dhe transparente nga stafi e gjykatës dhe të
prokurorisë.

Në këtë ceremoni, Shefi i Delegacionit të
Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadori Helmuth Lohan theksoi se punimet
infrastrukturore janë të nevojshme për të përmirësuar efiçencën dhe
transparencën e sistemit gjyqësor në Shqipëri.

Ai shtoi se infrastruktura e dukur gjyqësore
nuk mjafton për të kapërcyer dobësitë e gjyqësorit në Shqipëri dhe për ta bërë
gjyqësorin ti shërbejë si duhet qytetarit.

Për më tepër, tha ai, institucionet
gjyqësore duhet të jenë të depolitizuara, të pavarura dhe të përgjegjshme, dhe
individët që punojnë në sistemin gjyqësor zbatuesit e ligjit, prokurorët,
avokatët, gjykatësit duhet të drejtohen nga rendi ligjor pavarësisht
bindjeve të tyre politike apo interesave ekonomike ose personale.

Në fjalën e tij Nishani deklaroi se Godina e
re e Gjykatës për Krimet e Rënda është kthyer tashmë në një simbol të
modernizimit të pushtetit gjyqësor, me infrastrukturën estetike sipas standardeve
më të fundit evropiane, duke ruajtur njëkohësisht simbolet e saj të drejtësisë.

Shpreh mirënjohjen për Bashkimin Evropian i
cili mundësoi këtë infrastrukturë moderne për sistemin e drejtësisë penale në
vlerën prej 6.5 milionë euro investim, ku përfshihet sistemi i teknologjisë së
informacionit dhe baza materiale për realizimin sa më efektiv të procesit
gjyqësor si dhe Delegacionin Evropian në Tiranë që e bëri efektiv këtë
financim, - tha Nishani.

Më tej ministri u shpreh se drejtësia ka
nevojë për më shumë transparencë nëpërmjet pjesëmarrjes së publikut.

Është akoma shpejt të thuash se brenda godinës
së re, është krijuar një traditë juridike e konsoliduar, megjithatë unë kam
besim të plotë se në mbi 200 zyrat e vëna në dispozicion të pushtetit gjyqësor,
Gjykata e Krimeve të Rënda me transparencën dhe përgjegjshmërinë e saj do të garantojë
bërjen e drejtësisë, theksoi Nishani.

Në këtë përurim mori pjesë edhe Prokurorja e
Përgjithshme Ina Rama, e cila theksoi rolin që luan infrastruktura në ushtrimin
e detyrës së prokurorëve.

Ndërtimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda filloi
në prill 2007. Tashmë ndërtesa është në shërbim të plotë të stafit të gjykatës
dhe prokurorisë.

Ndërtimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda është
vetëm një nga nismat ndihmuese të Komisionit Evropian për funksionimin e
sistemit gjyqësor në Shqipëri.

Infrastruktura e dobët ka qenë vazhdimisht një
nga problemet kryesore të gjyqësorit në Shqipëri dhe Komisioni Evropian ka
ndihmuar në përmirësimin e saj duke rindërtuar gjykatat e Sarandës, Vlorës,
Dibrës, dhe Korçës.

Këto investime lehtësojnë disa nga problemet e
vëna në dukje nga Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për vitin 2009, si
mbajtja e seancave nëpër zyrat e gjykatësve, mosrespektimi i të drejtave të të
gjitha palëve në një çështje, ose mungesa e ndjekjes së seancave nga publiku.

f.sh/NOA

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›