E Shtunë, 31 Tetor 2026

Padia e Dulakut, nis procesi kundër kryeministrit Berisha

Tiranë, 5 Shkurt NOA - U zhvillua sot në
Gjykatën e Lartë seanca e pajtimit mes palëve; i paditur Sali Berisha dhe i
dëmtuar akuzues Artan Dulaku, bazuar në nenin 338 të Kodit të Proçedurës
Penale.

Pasi trupi gjykues është njohur me prezencën e
avokatëve të palëve në proçes, i ka vënë në dijeni këta të fundit me një
kërkesë për përjashtim të relatores së çështjes znj. Mirela Fana, depozituar më
datë 02.02.2010 nga ana e mbrojtësve ligjorë të të dëmtuarit akuzues z. Dulaku.

Në këtë kërkesë të protokolluar pranë Gjykatës
së Lartë, Z. Dulaku me anë të avokatit të tij, shprehet se bazuar në nenet 19,
21/2 i K.Pr.P. znj. Fana si relatore e kësaj çështje do të ketë njëanshmëri
ligjore dhe proçedim jo të drejtë e të barabartë në gjykim.

Në lidhje me këtë pretendim të ngritur nga
pala e të dëmtuarit akuzues, relatorja e çështjes Z. Fana u shpreh se kërkesa
është e pabazuar në ligj, duke mos përmbajtur asnjë shkak që e detyron të japë
dorëheqjen, shkaqe këto të parashikuara në nenin 18 të Kodit të Procedurës Penale.

Trupi gjykues u ka komunikuar pjesëmarrësve në
këtë proçes se bazuar në nenin 21 pika 2 të Kodit të Procedurës Penale në
Gjykatën e Lartë do të hidhet shorti për përcaktimin e trupës së gjyqtarëve që
do të shqyrtojnë kërkesën për përjashtimin e gjyqtares relatore Znj. Mirela
Fana.

Pas hedhjes së këtij shorti, anëtarët e trupit
gjykues do ta shqyrtojnë këtë kërkesë më datë 09.02.2010.

Gjithashtu, pranë Kryetares së Gjykates së
Larte Znj. Shpresa Beçaj, është dorëzuar dhe një kërkesë për dorëheqje nga ana
e gjyqtares Evjeni Sinoimeri, e cila është anëtare e trupit gjykues së çështjes
së mësipërme.

Znj. Sinoimeri ka paraqitur dorëheqjen përpara
Kryetares së Gjykatës së Lartë, bazuar në nenin 17 të Kodit të Procedurës Penale
pasi përfaqësuesi ligjor i z. Sali Berisha në këtë proçes është i afërm i
familjes se Znj. Sinoimeri.

e.r/NOA - Më shumë mbi argumentin:

Gjykata
e Lartë pranon padinë ndaj Mediut dhe Berishës

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›