Dule: Bashkëpunimi PD-PS negativ për proceset integruese
• Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, tha dje se bashkëpunimi i mbyllur PD-PS për reformën zgjedhore do të kishte ndikime negative në proceset integruese të vendit.Duke folur në një konferencë për shtyp, Dule u shpreh se "Ky proces në radhë të parë duhet të ketë mirëkuptim, maturi dhe konsensus në mënyrë që forcat politike të kapërcejnë barrierat, të cilat kanë bërë që çdo proces zgjedhor të jetë, herë më shumë e herë më pak, i kontestueshëm në vend". Duke reaguar ndaj qëndrimeve të fundit të partive të vogla lidhur me reformimin e ligjit zgjedhor, ai tha se "një bashkëpunim i mbyllur PD-PS, duke injoruar vullnetet e forcave të tjera politike, sidoqoftë është një mekanizëm në demokraci i parefuzueshëm". "Por, me qëllim që të kemi një normalitet politiko-elektoral në vendin tonë ajo do të ishte një 'nonsens' që do të sillte çrregullime afatmesme dhe pse jo edhe afatgjata. Kjo do të ndikonte negativisht në fatet integruese të vendit tonë nëse në mënyrë të njëanshme, PD e PS do t'i imponoheshin parlamentit dhe elektoratit, për zgjedhjet politike të radhës", deklaroi Dule.