E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dule-Berishës: Ndrysho qeverinë, jemi gati të ikim

Kryetari i OMONIA-s i kërkon Berishës regjistrimin e minoriteteve. Për këtë kërkesë bën thirrje edhe Dule
TIRANË- Në 17-vjetorin e krijimit të OMONIA-s, kryetari i Partisë së Bashkimit të të Drejtave të Njeriut, Vangjel Dule ka kërkuar ndryshime në qeveri para futjes së vendit në vitin e fundit të mandatit qeverisës. Madje, Dule është shprehur në të njëjtën kohë se partia që ai drejton është gati të largohet nga qeveria, me qëllim përmirësimin e vizionit qeverisës. Nga qyteti i Gjirokastrës, Dule këmbëngul më shumë se kurrë, që këto ndryshime të ndodhin sa më shpjet të jetë e mundur. "Ndryshimet në qeveri janë të domosdoshme përpara futjes në vitin e fundit të mandatit. Kjo për të intensifikuar punën për realizimin e programit qeverisës, por nga ana tjetër, edhe sepse e konsiderojmë të nevojshme që kabineti aktual të rifreskohet. Ne do të ishim gati që të sakrifikonim pjesëmarrjen tonë të drejtpërdrejtë në kabinet, për hir të përmirësimit të vizionit qeverisës, të prioriteteve të programit qeverisës në përgjithësi dhe përfshirjen e disa alternativave në program, duke i shndërruar ato në prioritet për pjesën e mbetur të mandatit qeverisës",- tha dje Dule. Në fakt, prej kohësh, PBDNJ ka kërkuar ndryshime në qeveri duke cilësuar si më të domosdoshme për ndryshim, drejtimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Regjistrimi i popullsisë"Regjistrimi i minoriteteve nuk është një kërkesë e PBDNJ-së apo Organizatës "Omonia", por një obligim i vendit tonë ndaj politikave integruese",- tha dje kryetari i Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule. "Jemi vendi i vetëm në Komunitetin Europian që ende nuk kemi zhvilluar konform standardeve, një regjistrim të përgjithshëm të popullsisë. Shpeshherë kemi keqinterpretime. Nuk është qëllim në vetvete regjistrimi i popullsisë, për të treguar sa është madhësia numerike e një komuniteti, por ky është instrumenti më modern për të aplikuar politika të sakta, për respektimin e të drejtave të minoriteteve dhe, natyrisht, është burimi nga i cili do të shikohen në të gjitha aspektet këto të drejta",- tha Dule gjatë takimit. Ndërsa sipas kryetarit të OMONIA-s, Jani Jani, së shpejti do të zhvillohet një takim me kryeministrin Berisha për çështjen e regjistrimit të plotë të minoriteteve. "Ne para disa muajsh i jemi drejtuar zyrtarisht kryeministrit Berisha dhe i kemi kërkuar që brenda kuadrit ligjor, të bëhet një regjistrim i përgjithshëm i minoriteteve dhe deri tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Së shpejti do kërkojmë një takim me Kryeministrin, me qëllim që ky proces të zhvillohet edhe në kuadër të kartave të identitetit",- tha Jani. Prej shumë kohësh, regjistrimi i minoriteteve ka qenë një kërkesë e vazhdueshme dhe e përsëritur e PBDNJ dhe Organizatës "OMONIA", por që deri tani nuk ka gjetur zgjidhje. Në takimin e djeshëm merrnin pjesë Ambasadori Grek në Tiranë, Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Kosta Barka dhe drejtues të lartë të PBDNJ-së.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›