E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjana: Drafti, kontroll titujve të pronësisë

Një task forcë në nivel qendror e lokal do të marrë kompetenca për kontroll ligjor ndaj pronave
TIRANË- Zbatimi i ligjit 7501 gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, si dhe veprimtaria e zyrave kadastrale në lidhje me dhënien e tapive, do të jenë objekt i një kontrolli të imët që qeveria ka menduar të bëj, përpara se ti japë vlerë përfundimtare titujve të pronësisë. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur dje Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, i cili ka deklaruar se për këtë qëllim dikasteri që ai drejton ka depozituar për miratim në Këshillin e Ministrave dy nisma ligjore. "Pas dy vitesh kontrolle, analiza dhe evidentim të qartë të problematikës në ndarjen e tokës bujqësore, janë kaluar për miratim dy projekt ligje të rëndësishme. Ato synojnë që përgjatë vitit 2008 të rrisin sigurinë e titujve të pronësisë të fituar në mënyrë të ligjshme", - u shpreh Gjana. Sipas tij, projektligjet në fjalë parashikojnë ngritjen e një grupi të posaçëm kontrolli nën drejtimin e Komisionit Qeveritar të Tokës, i cili do të funksionoj si në qendër ashtu edhe në terren për të bërë evidentimin e të dhënave zyrtare me kufijtë konkret të çdo prone për të cilën ka dyshime. Në draftet e paraqitura parashikohet gjithashtu dhe masa të rënda penalizuese, për të gjithë ata që jo vetëm zotërojnë një pronë të pambështetur në dokumente origjinale, por edhe për ata që kanë favorizuar transferimin apo mbivendosjen e pronave. "Një task forcë në nivel qendror e lokal, nën drejtimin e Komisionit Qeveritar të Tokës, i cili do të marrë kompetenca dhe përgjegjësi të reja ligjore, do kontrollojë, penalizojë dhe disiplinojë të gjitha shkeljet ligjore të konstatuara në ndarjen e tokës bujqësore", - u shpreh dje ministri Gjana gjatë prezantimit të masave, që ministria që ai drejton ka marrë në kuadër të plotësimit të detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian. Sipas kësaj ministrie, një nismë e tillë do të synoj rritjen e sigurisë se prona është tek ata që u takon, por edhe do të bëj të mundur futjen e saj në treg. "Kjo do të konsolidojë pronësinë mbi tokën si dhe do të përmirësojë tregun e shitjes dhe tregun rental të saj", - tha Gjana.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›